Kritika Trumpit, pasi kërcënoi lokacionet kulturore të Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përballet me kritika në rritje, për shkak të kërcënimeve për sulme mbi lokacionet kulturore të Iranit.
Kriza në Lindjen e Mesme është thelluar prejse një sulm i ShBA-së ka vrarë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani, më 3 janar.
Të shtunën, Trumpi, përmes një postimi në “Twitter”, ka shkruar se Shtetet e Bashkuara do të sulmojnë disa lokacione të rëndësishme kulturore të Iranit, nëse ky i fundit sulmon personelin apo asetet amerikane, si hakmarrje për vrasjen e Soleimanit.
Presidenti ka thënë se lokacionet kulturore janë në mesin e 52 caqeve të identifikuara iraniane që mund të sulmohen nëse iranianët “torturojnë njerëzit tanë”.
Por, organizata për kulturë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, është në mesin e atyre që ka tërhequr vërejtjen se lokacionet e tilla janë të mbrojtura.
ShBA-ja dhe Irani kanë nënshkruar konventa për të mbrojtur trashëgiminë kulturore edhe në kohë konflikti. Sulmet ushtarake në vendet kulturore konsiderohen krime lufte sipas ligjit ndërkombëtar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka bërë përpjekje t’i zbusë kërcënimet e Trumpit, duke thënë se ShBA-ja do të vepronte brenda ligjit ndërkombëtar.
Por, presidenti i përsëriti kërcënimet e tij, duke thënë: “Ata lejohen të vrasin njerëzit tanë, ata lejohen të torturojnë dhe të sakatojnë popullin tonë, atyre u lejohet të përdorin bomba në rrugë dhe të hedhin në erë njerëzit tanë – dhe neve nuk na lejohet t’i prekim vendet e tyre kulturore? Nuk funksionon kështu”.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, e ka mbrojtur presidentin, duke thënë se ai “vetëm ka bërë pyetje”.
Më 1979, UNESCO ka shpallur si trashëgimi botërore monumentet e rrënuara të Prespolisit, kryeqytetit të perandorisë së Lashtë Persiane
Më vonë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, ka lënë të kuptohet se ushtria e Shteteve të Bashkuara nuk do t’i sulmonte lokacionet kulturore të Iranit, edhe pse ato janë përmendur si shënjestra të mundshme nga Trump.
“Ne do t’i respektojmë ligjet e konfliktit të armatosur”, ka thënë Esperi gjatë një konference për media në Pentagon.
Drejtorja e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, ka thënë se Irani dhe ShBA-ja kanë nënshkruar një konventë të vitit 1972 për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në botë.
Dy vendet kanë nënshkruar edhe një konventë të vitit 1954 për mbrojtjen e pronës kulturore në rast të konfliktit të armatosur.
Trumpi e ka tërhequr ShBA-në nga UNESCO-ja në vitin 2018, duke u thirrur në paragjykimet e supozuara të agjencisë kundër Izraelit.
Senatorët demokratë të Shteteve të Bashkuara, Elizabeth Warren dhe Chris Murph, kanë thënë se Trump po kërcënon me kryerje të “krimeve të luftës”.
“Porta e të gjitha kombeve” që gjendet në qytetin e lashtë persian Persepolis në jug të Iranit
Ngjashëm është shprehur edhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, ka thënë se vendet kulturore mbrohen me ligj ndërkombëtar dhe se Britania pret që ai të respektohet.
Rajoni më gjerë ka pësuar shumë sulme ndaj objekteve kulturore, të kryera nga grupi militant Shteti Islamik.
Sulmet kanë shkatërruar xhami, faltore e kisha, sidomos në Siri.
Talibanët në Afganistan kanë shkatërruar po ashtu statujat më të larta në botë të Budës, në provincën Bamijan. Irani ka 22 lokacione kulturore në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Ato përfshijnë: Persepolisin, kryeqytetin e Perandorisë së Lashtë Persiane, mbetjet më të hershme të të cilit datojnë që nga shekulli 6 para erës sonë, sheshin Naqsh-e Jahan në qytetin Isfahan, i cili është ndërtuar në fillim të shekullit 17 dhe është një nga sheshet më të mëdha të një qyteti në botë dhe pallatin Golestan në Teheran, që ka qenë vendbanim dhe seli e dinastisë Kajar që ka sunduar Iranin nga viti 1785 deri më 1925. /Rel/
Pamje nga sheshi Naqsh-e Jahan