Kritikë politike / Sovrani t’i largojë nga qeverisja filistinët e narcistët
Përpara strukturave intelektuale dhe akademike, përpara familjeve të dëshmorëve të kombit, përpara Kushtetutës së shtetit etj., del si obligim i pashmangshëm moral e kombëtar që të reagohet bashkërendueshëm në variante të ndryshme demokratike kundër veprimtarive: korruptive, kriminale, anarkike, diskriminuese etj. që sot mbizotërojnë në Kosovë
Hasan Mujaj
Në Kosovë, sidomos kohën e fundit, sa vjen e po merr shtrirje të gjerë edhe një fenomen, madje aq të gjerë, sa tanimë është bërë dukuri. Kjo dukuri është: punësimi sipas porosive të kryeministrit, të zëvendëskryeministrave, të ministrave të deputetëve, të liderëve të partive politike etj.
Në realitet ky lloj punësimi është një variant korrupsioni, një veprim i diktatit autarkik ndaj të cilit me të drejtë pati shumë reagime e kritika edhe nga përfaqësuesit e huaj diplomatikë të akredituar në Kosovë. Për të qenë ironia edhe më e madhe, ky punësim, dmth. ky komprometim i institucioneve më të larta të shtetit, bëhet nga ndërhyrja e disa liderëve të partive politike dhe sendërtohet nga ministrat, zëvendëskryeministrat etj. të partive përkatëse. Ky punësim, shpërdorimisht, u bë aksiomë në Kosovë.
Tani, që të jetë qesëndia edhe më komike, edhe më demagogjike, edhe më nepotiste, ky lloj punësimi i familjarëve të pushtetarëve bëhet pikërisht nga ata, të cilët, në paraqitjet e ndryshme publike, në fjalimet politike, në medie etj. parim pikënisjeje rreth punësimit e patën kriterin: një familje, një të punësuar! Por, ky princip mbeti vetëm teorik; nuk zgjati më shumë se fjalimi: u shkel nga vetë oratori që po i mashtronte qytetarët!
Statistikat përditë po dëshmojnë se në Kosovë, me shkallë të lartë të papunësisë, ku me mijëra familje rrojnë me ndihma sociale dhe, si rrjedhojë e kësaj gjendjeje të gjorë socioekonomike, është edhe ikja e madhe nga vendi, ka familje me nga dy, tre e katër të punësuar! Në ballë të kësaj dukurie antidemokratike e antihumane janë drejtuesit e shtetit të Kosovës, të cilët në fjalime e thonë njërën, e në praktikë tjetrën. Këtë e bëjnë, përveç interesit material-familjar, edhe për favore politike, partiake, miqësore, farefisnore etj.
Kështu, për arsyet e sipërthëna, pushtetarët e lartë të Kosovës i futën në punë: djemtë, vajzat, bashkëshortet, kunatat, nipërit, mbesat, motrat, të vluarat e djemve, djemtë e vëllezërve etj. të kryeministrit, të zëvendëskryeministrave, të ministrave etj. Madje, një nga zëvendëskryeministrat, që prin në këtë veprimtari destruktive me disa familjarë të punësuar, i jep vetes të drejtë morale t’i bindë qytetarët në fjalimet publike se ai dhe partia politike që e drejton janë për zbatimin e rendit e të ligjit në vend, për të hapur vende të reja pune dhe, më në fund, grish të rinjtë me refrenin patriotik: “rrini këtu, mos e lëshoni vendin, po punojmë ta zhvillojmë Kosovën” e mashtrime të tjera të ngjashme!
Ky stil i retorikës mpleks në vete konotacione ironike: thuhet diç që kumbon mbresueshëm por, shpërpjesëtimi me të vërtetën, në gjuhën gjermane quhet “retorikë e zezë” (schwarze Rhetorik), që është rreng e manipulim i disa politikanëve të Kosovës etj. si në shembullin e sipërsjellë.
Në kritikat e ndryshme përkitazi me dukurinë e punësimeve të këtilla, pushtetarët narcistë arsyetohen me përgjigjen komike se të afërmit e tyre kanë kryer fakultetin e masterin. Hipokrizi e paparë! Në Kosovë ka me mijëra njerëz me fakultet të kryer e me master që përditë kërkojnë punë, por nuk pranohen sepse u mungon ndërhyrja e politikës, e cila në Kosovë është mbi konkurset e ligjet.
Kriter punësimi, përkatësia partiake
Përveç këtij varianti të punësimit shpërdorues që i takon interesit material, ekziston edhe punësimi i përftimit politik duke pranuar në punë militantë të partive e të partizave politike për të shënuar kështu numër sa më të madh votuesish në zgjedhje për të qëndruar në pushtet. Edhe kjo dukuri po vërshon në Kosovë ku kriter punësimi është përkatësia partiake! Çështje plotësisht irelevante është kualifikimi, specializimi, përvoja, aftësia etj.
Kjo veprimtari destruktive e qeveritarëve të lartë të shtetit me gërnja e mashtrime, e cila mbrohet e përforcohet nga disa këshilltarë të kabineteve të gjora të tyre, të cilët u këndojnë panegjirikë për “sukseset e fjalimeve publike” semantikisht shterpë, tanimë po kritikohet e po apostrofohet edhe nga faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Kosnet me shumë të drejtë kërkoi reagimet e ndryshme demokratike të qytetarëve ndesh qëndrimeve e vendimeve antiligjore të pushtetarëve që sa vijnë e po shtohen. Prandaj, s’është habi që nuk ka investimeve të bizneseve të huaja për ta shpënë përpara zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të hapur vende të reja pune sepse askush nuk investon aty ku paraprakisht kërkohen miliona euro korrupsion siç janë kërkuar në Kosovë nga një qeveritar i lartë duke dëshmuar kështu se nuk ka siguri të ligjshmërisë; nuk ka zhvillim të arsimit cilësor sepse në ballë të tij janë vënë njerëz pa kompetencë të duhur arsimore që nuk dinë të shprehen si duhet në gjuhën standarde shqipe, andaj ç’arsim cilësor mund të pritet nga të paarsimuarit, të cilët, ç’është për keqardhje, sot e drejtojnë arsimin e shtetit madje MAShT-i prin nga punësimet politike sipas kriterit partiak;
nuk ka njohje të reja të shtetit të Kosovës sepse është ngritur çështja e lëvizjes së kufijve Kosovë-Serbi, e cila me të drejtë krijoi dilema se në ç’kufij të njihet Kosova shtet; sigurisht se nuk njihet shtet nga shtetet e tjera një vend që luan me kufijtë e vet në të cilët është shpallur shtet sovran dhe është njohur nga njëqind e pesëmbëdhjetë shtete; pra, ndërprerjes së njohjeve i kanë paraprirë vetë drejtuesit e shtetit etj.
Dhe jo vetëm kaq. Pasi nuk ka përgjegjësi ligjore për veprat kriminale si rrjedhojë e mosfunksionimit të institucioneve të drejtësisë, shpërdorimet korruptive janë shtrirë edhe në veprimtari të tjera p. sh.: në gjykata, të cilat aktakuzat e ngritura nga prokurorët për veprat penale kundër zyrtarëve të lartë të shtetit, ku nga ndërhyrja e politikës e ku nga korrupsioni, i fshehin dhe i mbajnë në sirtarë me vite të tëra me qëllim që të vjetrohet lënda dhe kështu t’i shpëtohet dënimit.
Këshilli Prokurorial, ditë më parë, nuk lejoi praninë e ambasadorit britanik për të ndjekur korrektësinë e zbatueshmërisë së kritereve të zgjedhjes së kryeprokurorit special me gjithë marrëveshjen pararendëse që e kishin. Përse? Për arsye se politika e kishte paraparë se cili do të jetë ai. Pra, ai që do t’i përfillë qëndrimet e politikës!
Korrupsioni më i fortë se ligji!
Në fushën e shëndetësisë ka disa vjet që është bërë publike dhe është dëshmuar me fakte afera e madhe korruptive e stentave nga e cila ndiqen shumë mjekë që shkelën betimin e Hipokratit dhe etikën mjekësore duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve që kërkuan ndihmën e mjekut. Ka shumë kohë që drejtësia nuk merret me këtë krim, i cili mbrohet nga korrupsioni që në Kosovë është më i fortë se ligji.
Kriminaliteti është shtrirë edhe në fushën e rendit e të sigurisë, aty nga duhet të burojë gatishmëria për të ndjekur e për të zbuluar krimin; në polici lejohet të punojnë zyrtarë policorë që ndiqen për veprat penale, të pamoralshëm dhe me aktakuza për vepra të dhunshme.
Sa ka vërtetësi në përmbajtjen e shprehjes metaforike: “Do të ndërtojmë ura edhe aty ku nuk ka lumë”, po aq janë reale edhe premtimet e disa liderëve mashtrues që i bëjnë në fjalime të ndryshme publike.
Po të mbahet parasysh përmbajtja e citatit të shkrimtarit e oratorit elitar W. v. Gëtes: “Nacionalisti më i mirë është ai që i dallon të metat e popullit të vet”, e cila (përmbajtje) është me vlerë të përhershme, atëherë përpara strukturave intelektuale e akademike, përpara familjeve të dëshmorëve të kombit, përpara ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë dhe të Kushtetutës së shtetit etj., del si obligim i pashmangshëm moral e kombëtar që të reagohet bashkërendueshëm në variante të ndryshme demokratike kundër veprimtarive: korruptive, kriminale, anarkike, diskriminuese etj. që sot mbizotërojnë në Kosovë.
Duke iu referuar citatit të Gëtes, cilat janë të metat e popullit tonë, parë nga rrethanat e sipërthëna? Ato janë: pasiviteti, heshtja e pajtueshmëria me tatëpjetën politike, ekonomike, arsimore, shëndetësore, korruptive, kriminale etj., të cilat sa vijnë e po thellohen duke e rrezikuar kështu edhe sovranitetin e shtetit. Populli ynë hëpërhë del të jetë vrojtues indiferent i deformimeve të këtilla. Ai, i manipuluar nga propaganda e interesit politik dhe e pretendimeve për pushtet të filistinëve karrieristë, nuk kundërshton politikën retrograde e stagnuese që drejtohet e zhvillohet nga: narcistët e kukuvriqët, nga eristikët e poltronët, nga rabulistët e kusarët etj.
Gëte me të drejtë vuri re se nacionalistët e vërtetë vihen në shërbim të popullit për t’i mënjanuar gabimet, dështimet e të metat e tij. Në kontekstin e trajtimit tonë vlen të mbahet parasysh edhe thënia e politikanit të formatit më të lartë të demokracisë e të politikës botërore – Xhon Kenedi: “Liria pa dituri është gjithmonë në rrezik.!”
Pragmasemantika e citatit në vështrim, shumë kontemplativ e persuasiv, është tejet e qëndrueshme në ecurinë e politikës intrinstike dhe, si rrjedhojë e kësaj, edhe e politikës ekstrinstike në Kosovë. Sepse, qeveritarëve të lartë të Kosovës u mungojnë dituria e korrektësia e drejtimit të shtetit, e qeverisjes dhe e përfaqësimit të shtetit në relacionet ndërkombëtare. Beogradi zyrtar përfitoi nga ky diletantizëm politik i pushtetarëve të Kosovës të cilët, në fillim, gabuan rëndë që pranuan hyrjen në të ashtuquajturin dialog “teknik”, por që ishte e doli dialog politik, me shtetin që nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur. Andaj, politika e Beogradit thoshte se po “bisedon shteti me provincën e vet!” Ky qe gabim i madh i udhëheqësve të lartë të Kosovës ngase vetë e degraduan shtetin. Në dialog me Beogradin Kosova u vu në pozicion inferioriteti nga deficiti i kognicionit politik të drejtuesve të shtetit. Ndonëse me vonesë, por duhet të korrigjohet ky gabim dhe të kërkohet që dialogu të zhvillohet midis dy shteteve: Kosovë-Serbi dhe jo shtet-provincë. Kjo sa i takon politikës së jashtme.
Mirëpo, në Kosovë ka edhe probleme të tjera të politikës së brendshme, të cilat nuk mund të zgjidhen nga ata që i krijuan për favore oligarkësh për t’i përforcuar pozicionet politike duke krijuar kështu situata të ndera stagnuese në fushat më të rëndësishme të veprimtarisë nga mosfunksionimi i ligjshmërisë.
Për tejkalimin e kësaj gjendjeje, imponohet ndryshimi, të cilin mund ta bëjë vetëm sovrani që është populli. Për këtë arsye është e domosdoshme që nga qarqet akademike, intelektuale, nga mediet etj. të zhvillohet veprimtari e thukët në terren me të gjitha shtresat e qytetarëve me anë të së cilës (veprimtari) do të pasqyroheshin me fakte gabimet, dështimet, keqpërdorimet, aferat korruptive dhe pasuritë enorme të paligjshme të qeveritarëve të lartë të shtetit, sidomos të dhjetë viteve të fundit, të cilat janë bërë tema delikate trajtimi kritik edhe në nivelin ndërkombëtar si p. sh. pensionet e veteranëve mashtrues e falsifikues që u miratuan nga Komisioni qeveritar, nga eprorë ushtarakë etj.
Mashtruesit e shtetit mbrohen nga qeveritarët e lartë!
Ky status (i veteranit) u ble nga dy mijë e tre mijë euro me anë të nënshkrimeve fals të ushtarakëve, të ministrave etj. dhe tani veteranët mashtrues që i kushtojnë shtetit me miliona euro në vit, mbrohen nga qeveritarët e lartë sepse janë pjesëmarrës në mashtrim të shtetit dhe për këtë janë paguar mirë! Pra, Qeveria qendrore i mbështet veprat penale! Skandal i paprecedent!
Për këtë skandal të drejtësisë, që tumiret nga qeveritarët, ditë më parë, pati kritika të themelta edhe nga ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, të cilat (kritika) u përsëritën edhe nga diplomatë të tjerë, por, diplomati i shtetit mik, për kritikat e bëra, u kërcënua me dëbim nga vendi nga një ministër! Kjo do të thotë se ministri nuk do ligjshmëri, por anarki dhe kështu e mbron korrupsionin! Me të gjitha këto veprimtari kriminale duhet të njoftohen qytetarët dhe të veprohet që, në forma të ndryshme e të organizuara mirë, të ngrihet kultura politike, demokratike, qytetare, kushtetuese etj. e sovranit që në zgjedhjet e ardhme të mos votohen më:
ata, të cilët ose ato, të cilat i kërcënojnë edhe diplomatët e shteteve mike me largim nga vendi vetëm se e thonë të vërtetën rreth aferave të mëdha korruptive siç është rasti i veteranëve manipulues në të cilin morën pjese edhe qeveritarë të lartë të shtetit, deputetë e ndërmjetës të tjerë;
ata, të cilët, posa erdhën në qeverisje, ia shtuan pagat vetes 100 %;
ata, të cilët paradite detyrohen të shkojnë në gjykata si të akuzuar për vepra penale, kurse pasdite shkojnë në kabinetet qeveritare dhe dalin në terren për t’iu folur qytetarëve për zbatimin e ligjshmërisë dhe për zhvillimin e shtetit;
ata, të cilët ose ato, të cilat e shitën votën për t’i bërë numrat e votimit të Qeverisë në Parlament dhe që asnjëherë nuk diskutojnë për t’i parashtruar problemet e jetës së qytetarëve që i përfaqësojnë në Kuvend, d. m. th. janë plotësisht indiferentë ndaj çështjeve relevante sociale, nacionale, shtetërore, ndërkombëtare etj.;
ata, të cilët ose ato, të cilat, edhe po të duan, nuk dinë të diskutojnë sepse u mungon kultura (kupto njohuritë) elementare nga retorika dhe gjuha standarde shqipe, d. m. th. nuk janë kultivues të vlerave kombëtare nga të cilat, kryesorja është gjuha standarde etj. M. F. Kuintiliani, edukatori dhe oratori virtuoz, për fjalimin publik, shkroi: ‘’Fjalimi bazohet në ligjet e gjuhës.’’ Më se e vërtetë.
Se gjuha standarde e një kombi, në përdorimin zyrtar, duhet të mbrohet me ligj siç veprohet në disa shtete, dëshmohet edhe nga mendimi i filozofit të shquar gjerman J. Habermas: ‘’Gjuha nuk është pronë private.’’ Ajo është vlera më e lartë kombëtare.
Vetëm kështu, pra duke mos i votuar më ata, të cilët dhe ato, të cilat i hyjnizojnë me lëvdata larot e hipokritët që, për favoret e tyre materiale e politike, e shpurën shtetin në humnerë, porse duke i votuar ata që nuk kanë akuza për veprat penale dhe që kanë zotësi për t’i përfaqësuar e arsyetuar kërkesat e drejta të qytetarëve, mund të shënohet ndryshimi: ligji mbi të gjitha e për të gjithë dhe zhvillimi i ekonomisë së shtetit.