Kritikohet Morata, ky është reagimi i trajnerit të Spanjës
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, e ka mbrojtur sulmuesin Alvaro Morata, i cili u përcoll me fishkëllima nga tifozët e vet në stadium, për shkak se i humbi disa raste ideale në barazimin me Suedinë në ndeshjen hapëse të skuadrës së tij në “Euro 2020”.
Megjithëse e mbizotëroi kundërshtarin, Spanja nuk mundi të arrijë më shumë se një barazim pa gola në takimin e Grupit E në Sevillë.
Por furia e kuqe kishte raste shënimi me bollëk, të cilat i shpërdoroi prandaj dhe u përball me kritika të shumta.
Morata e humbi mundësinë më të mirë të Spanjës në pjesën e parë, duke gjuajtur jashtë portës nga afërsia. Por Enrique u shpreh i lumtur me lojën e ekipit të tij në përgjithësi dhe beson se mund të përballet me kritikat.
I pyetur për fishkëllimat e tifozëve kundër Moratas – edhe pse ai u duartrokit kur u zëvendësua, Enrique eshte përgjigjur: “Mendoj se ndaj lojtarëve pati dy reagime të ndryshme, por unë dua të përqendrohem në reagimin mbështetës. Dua të përpiqem t’i përmirësoj lojtarët e mi dhe t’i mbroj ata. Këtë tentoj ta bëj gjithmonë. Por natyrisht jam më i lumtur kur i shoh tifozët duke e brohoritur emrin e lojtarëve”.
“Mendoj se Alvaro bëri lojë shumë të mirë. Natyrisht se të gjithë ne duam t’i shfrytëzojmë rastet pro edhe të tjerët kishin mundësi shënimi”, ka shtuar Enrique.