Kritikohet projektligji i punës
Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka diskutuar sot për Projektligjin e punës me shoqërinë civile, ku janë adresuar kritika në mungesë të koordinimit të neneve.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka kërkuar takim treditor në kuadër të një grupi punues për të diskutuar çdo nen bashkërisht.
“Kërkesat që janë dërguar në formë elektronike nuk janë marrë parasysh. Keni kërkuar që të kemi komunikim drejtpërdrejt për çdo nen. Do të kishte qenë mirë të bëjmë një takim pune, në mënyrë që të kemi një ligj funksional e jo si deri më tani. Ne kemi dërguar vërejtje, edhe tash kemi. Tek orari i punës, nuk ishte llogaritur pushimi në orë pune. Në projektligjin aktual nuk shkruan që orari i punës është 40 orë. Qeveria në këtë rast është duke e shkelur ligjin me dy këmbët, pasi në institucione publike punohet 35 orë pune, dhe ju na qitni në konflikt neve bizneseve. Ne kërkojmë që këto të jenë specifike”, ka thënë Krasniqi.
Edhe Blerim Delija nga Sindikata e Shëndetësisë, ka thënë se do të ishte shumë mirë sikur t’u jepej mundësia për shqyrtimin e neneve veç e veç, në kuadër të një grupi punues.
“E kam një vërejtje sepse draftligjin e kemi marrë para tre ditësh dhe nuk kemi pasur mundësi ta shqyrtojmë. Ky draftligj, shoh se në disa nene bie ndesh njëri me tjetrin. Unë fillimisht kisha veçuar disa vërejtje: me këtë ligj ka dualizëm, pasi flitet për sindikata dhe këshillat e punëtorëve, atëherë kush do të punojë aty”, ka deklaruar ai.
Kurse, deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, ka thënë se nëse e shohin të arsyeshme do të ftojnë edhe përfaqësues të odave afariste e ekonomike dhe përfaqësues të sindikatave për të diskutuar për këtë temë./ksp/