Kriza e Brexit po e bren nga brenda politikën britanike
Barbara Wesel
John Bercow është njeri me humor të hollë. Herë pas here kreu i parlamentit britanik joshej nga një retorikë pa kufi, e megjithatë gjithmonë ishte më shumë se një kryetar, që thjesht ndjek planin e ditës dhe kujdeset që të mos ketë shumë fyerje. Në fjalën e lamtumirës, John Bercow tha, se e shihte veten si zëdhënës për ata të rreshtit të fundit, pra si dikush që kujdesej që të drejtat e deputetëve të mos shkeleshin me këmbë nga luanët e radhës së parë. Dhoma e Ulët duhet të jetë mirënjohëse. Por edhe në vlerësimin për “speaker”-in dhe rolin e tij drejtues u duk qartë, se sa të ndara janë frontet në politikën britanike.
Në një kohë që opozita dhe konservatorët e moderuar i drejtuan fjalë të ngrohta John Bercow që largohet në fund të tetorit, disa krerë të konservatorëve nuk e fshehën dot përbuzjen. Ata mendojnë se kryetari i parlamentit ka qenë i njëanshëm në favor të opozitës. Në një kohë që ai ka qenë i angazhuar për të drejtat e parlamentarëve kundrejt një qeverie fuqiplotë dhe kërcënuese.
Sulm kundër parlamentarizmit
Por konservatorët e djathtë donin të hakmerreshin dhe ta shkelnin traditën që “speakerit” nuk i vendosej kundërkandidat në zonën e tij zgjedhore. Me dorëheqjen John Bercoë i parapriu goditjes që do të vinte nga partia e tij. Lufta mes qeverisë dhe parlamentit ndërkohë është kaq e ashpër, saqë përkrahësit e Boris Johnsonit janë të gatshëm t’i fshijnë edhe etiketat e fundit të mirësjelljes në këtë shtëpi të nderuar parlamentare, vetëm e vetëm që t’i hapin rrugën Boris Johnsonit për Brexit.
“Ne po e dobësojmë vetë këtë parlament duke rrezikuar veten”, u dha si porosi John Bercow deputetëve që duhet të bëjnë një pushim të detyruar 5 javor. Por ai për të cilin u tha ky paralajmërim i mbyll veshët. Boris Johnson do të donte të qeveriste sipas stilit të burrave të fortë në Turqi, Rusi apo diku tjetër pa përzierjen e bezdisshme të parlamentit.
Fushatë propagandistike kundër deputetëve
“Tradhtarë të vullnetit të popullit” është shkruar në pllakate protestuese në Westminster. Zgjedhja dashakeqe e këtyre fjalëve nga shtypi bulevardesk i djathtë, është e qëllimshme, bashkë me kryeministrin, ata duan të bindin qytetarët, se parlamenti është një kthinë muhabetesh pa bereqet, ku shpërdorohet koha, në vend që të realizojë shpejt e pa vonesë vullnetin e shumicës për një Brexit të ashpër. Denigrimi i deputetëve duke i quajtur ata frikacakë, budallenj, dhe të pavendosur është repertori standard i Boris Johnsonit.
E me këtë ai e hedh sopaten tek rrënjët e demokracisë parlamentare. Përfaqësuesit e popullit nuk kanë janë zbatues të pafjalë të vullnetit të shumicës të qarqeve të tyre zgjedhore. Ata kanë detyrim para të gjithë qytetarëve dhe luftojnë për të mirën e çdo qytetari në komunitet. Edhe sikur në Nottingham një shumicë të vonte për t’u hedhur nga aeroplani, është detyra e secilit deputet t’u sqarojë qytetarëve, që në avion nuk ka parashuta. E nëse duan prapë të hidhen, ata duhet edhe t’i ndalin në këtë hap në rast nevoje.
E pikërisht këtë kanë bërë deputetët në Dhomën e Ulët me ligjin kundër një Brexiti të ashpër pa marrëveshje në minutën e fundit. Shumë prej tyre e nënvlerësuan vështirësinë e daljes nga BE, kur votuan para dy vjetësh për largimin nga unioni. Ndërkohë ky plan është kthyer në një helm të fortë politik, që po e shkatërron nga brenda politikën britanike. E për përpjekjet e tyre për të penguar rënien ekonomike dhe politike, ata vihen me shpatulla pas muri. Fyerjet e madje kërcënimet për vrasje në mediat sociale janë bërë të zakonshme.
Nëna e demokracisë po vetëçmontohet
Britania e Madhe ka qenë gjithmonë krenare për institucionet qindravjeçare, traditat e saj, ndoshta edhe me disa rregulla të çuditshme. Imazhi si nëna e demokracisë së patundur ishte pjesë e rëndësishme e imazhit britanik, pjesë e reputacionit politik të këtij vendi në botë. Por që nga fillimi i krizës së Brexit, britanikët humbën fillimisht imazhin se drejtohen nga arsyeja e pragmatizmi. E tani fqinjët e shokuar, duhet të shohin se si qeveria në Londër paralizon institucionet demokratike, dëmton imazhin dhe funksionimin e saj.
Deputetët në Dhomën e Ulët duhet të shkojnë tani në pushim të detyruar dhe deri pak para datës së Brexitit nuk mund të bëjnë dot asgjë. Ata bënë të pamundurën për t’i lidhur duart Boris Johnsonit. Por nëse, ligji i ri kundër një Brexiti të parregulluar është aq i fortë sa ta frenojë kryeministrin, kjo nuk dihet. Sidomos parlamenti është i pambrojtur nga spostimi që i bëhet, si psh pushimi i detyruar. Në javët e ardhshme kryeministri në Londër mund të bëjë ç’të dojë, sepse nuk ka instancë të kontrollit demokratik. E kjo është një rrethanë shumë e rrezikshme për një kryetar qeverie që ka marrë kursin e shkatërrimit./dw/