KRIZA E GJILANIT

04 tetor 2024 | 12:25

Shkruan: Flamur Hyseni

Para afër 16 muajve, përmes një letër publike, saktësisht më 23 qershor 2023 i kam shkru kryetarit me qëllimin më të mirë për ta ndihmu.

Kryetar, letra vlen edhe tash, por, për shfrytëzimin e saj afatin e ke të shkurt.

Kjo ka qenë letra:

LETËR KRYETARIT TË KOMUNËS SË GJILANIT

I nderuar Kryetar i Komunës së Gjilanit,

Uroj të jeni mirë!

Fillimisht dëshiroj tua sqaroj se: Udhëheqja me komunën nuk është çështje politike, por, është çështje menaxhimi, lidershipi dhe kapaciteti qeverisës.

Dorëheqjen si mundësi, mos e konsideroni, se ju dëgjova një natë që e përmendët. Nuk është zgjidhje. Nuk ju arsyeton. Nuk mund ti ikësh përgjegjësisë së marrë me një akt dorëheqjeje. Vazhdo, ushtroje mandatin, lirohu prej partisë, nuk të kryen punë partia, përkundrazi, të pengon. Je kryetar i një komune të madhe, që ka shumë probleme, prandaj: sillu si KRYETAR I GJILANIT.

Komuna e Gjilanit, tani është duke kaluar nëpër një krizë institucionale, për shkak të papërgjegjësisë tuaj dhe ish bashkë qeverisësit, i cili ka ikë prej përgjegjësisë institucionale ose e keni largu ju prej përgjegjësisë institucionale. Sidoqoftë, gabimi është i përbashkët për këtë krizë institucionale, të cilën po e paguan me çmim të lartë qytetari i Gjilanit.

As ju dhe as ata nuk keni qenë korrekt dhe transparent me qytetarin gjilanas, se pse ndodhi kjo krizë, dhe pse e shkaktuat këtë krizë institucionale në Gjilan?

Ama, qytetari gjilanas e dinë saktë se ju dhe ata keni bër veprime ndaj njëri – tjetrit me stilin e “pazargjiut” të akshamit: “dushk për gogël”.

Qytetari gjilanas nuk ju ka votua, që ju me shkaktu kriza institucionale në Gjilan, por, me udhëheq me komunën, e cila i ka me mijëra probleme të pazgjidhura në: arsim, shëndetësi, mirëqenie, hapësirë publike, planifikim hapësinor, infrastrukturë, ujë, kulturë, rini, sport, punësim, e shumë të tjera.

Çfarë duhet të bëni tani e tutje, si të gjendeni në këtë krizë?

E para, mos i dëgjo të ashtuquajturit “aktivist dhe militant”, sepse atyre u skadon afati rreth orës 22:00 të natës së ditës së zgjedhjeve. Nuk e përjashtoj mundësinë që këta nuk duan ju të udhëhiqeni mirë, por, këta nuk mund të ndihmojnë asgjë sepse u mungon përvoja dhe dija.

E dyta, ne, bashkëqytetarët e tu, e dimi që ju jeni i papërvojë, dhe nuk shquheni për ndonjë aftësi menaxheri ale dhe lidershipi, së paku nuk e keni dëshmua deri tani. Por, arsyetimin e krizës duke e fajësua ish bashke qeverisësin e keni të kotë, sepse nuk mundesh me fajësu dikën përderisa thoni se e keni largu – shkëputë marrëveshjen për bashkëqeverisje (ju dhe ata keni dëshirë ti thoni koalicion). Ndërsa, ata po thonë që jemi largu prej bashkëqeverisje për shkak të pa ligjshmërive. Pastaj, i keni shkëmbye disa akuza publike, në vend që me ju dhe ata te merret Prokuroria Themelore e Gjilanit.

E treta, të rekomandoj që të ndërmerreni këto veprime, në ditët në vijim:

1. Të filloni të silleni me lidership si kryetar i komunës, sepse je kryetar i KOMUNËS SË GJILANIT (mundesh me përmirësua këtë dukshëm, mund të njoftoj se ku mundeni me krye shpejt dhe efikas një kurs bazik intensiv për lidership, të shtunave dhe të dielave, pa lexu libra).

2. Pasi që ta kryeni kursin intensiv për lidership, gjatë korrikut dhe gushtit (tetë seanca, nga dy orë akademike), në vjeshte, ka mesi i shtatorit, të filloni me bisedat për “kohabitacion” me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend Komunal të Gjilanit, për një mundësi bashkëpunimi – emergjent, por, “pa pazare” personale me këshilltarët komunal të LDK, PDK, AAK, që tua votojnë pa kushte vendimet vetëm të rëndësishmet, duke i lutë me mirësjellje, sinqeritet dhe kujdes për hire të interesave të Gjilanit.

Hiqu idesë çka të thonë aty pari se, Kuvendi Komunal është i parëndësishëm. Nuk është ashtu. Ata/ato nuk e dinë, dhe donë me të shti “llugave”. Pastaj, kthehen dhe të akuzojnë të njëjtit.

Sa më parë thuaj shokut tuaj dhe mikut tim, Arianit Sadiku, të dore hiqet prej pozitës së kryesuesit të Kuvendit Komunal. Nuk u takon juve ajo pozitë, ta marrin ata tjerët, dhe kështu ka gjasa me shpëtua shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, dhe për ju, kryetar, bëhet mirë sepse e vazhdoni mandatin përmes “kohabitacionit”, dhe “shpëton” së paku formalisht Gjilani.

3. Me shkua sa ma shpesh në Qeveri me lypë mbështetje më të madhe, sepse me KM jeni në një parti të përbashkët. “Theja derën përditë KM-ës, nxjerr naj send për Gilan”. A po e sheh se në çfarë gjendje është GJILANI? Duhesh me u bë shumë merak. Lute KM, nëse është nevoja gjunjëzohu para tij, beso të kujton gjilanasi. Puna jote është: çdo të dytën ditë me qenë nëpër korridore të qeverisë dhe ministrive duke lypë. Dëgjova, ka kohë që nuk ke qenë andej pari.

4. Fillo me ndej së paku një here në javë me njerëz të mençur të Gjilanit. Ka shumë të tillë. Që ke problem me i gjete dhe nuk i njeh, jam i gatshëm me ti gjete dhe më të njoftua me së paku 20 prej tyre. Asgjë mos marrësh prej tyre, jam i sigurte që ke me pa një vizion ndryshe të mendimit për problemin dhe zgjidhjen e problemit.

5. Shmangu gjuhës politike, nuk të kryen punë. Beso ato pak dalje nëpër TV nuk i ke të mira. E di, ta bëjnë rrafsh, ama, beso që ata/ato që ta bëjnë rrafsh nuk e kanë hallin tënd, por, të tyre që me fitua simpatinë tënde. Sepse, edhe atyre para teje njëjtë ua kanë ber.

6. Je vonua me shkarkimin e drejtores së arsimit (ata që rrinë me ty i thonë drejtoresha), të rekomandoj, që sa më parë me shkarku, dhe përgjegjësinë për arsim me marrë vetë. Nuk të duhet fare drejtor/e për arsim. Aty është situatë emergjente. Emergjencat i menaxhon kryetari që ka votë të popullit.

7. Blej shërbime profesionale, por, edhe kërko shërbime të dijes në formë donacioni për komunën. Nëse nuk ka kush me të tregu që ke të drejtë, po të tregoj që mundesh me ble dhe me kërku donacion në emër të komunës.

Këto shtatë rekomandime, shqyrtoj për shtatë ditët e javës, janë elementare, për të tjerat, më të avancuara shohim pas shtatorit, dhe fillo me vepru. Gjasat janë me u përmirësua. Qeverisja është moment veprimi në çdo moment për të veprua. Nisja, këtë një vit e gjysmë llogarite një lloj testimi, ama, prej 1 korrikut nisja, dhe vepro konkret, fillo dhe beso më në fund se vërtetë je kryetar i KOMUNËS SË GJILANIT, sepse ende nuk ua ke mbush syrin dhe mendjen gjilanasve.

Te dëshiroj punë të mbarë.

Sinqerisht,

Flamur Hyseni, qytetar i Gjilanit

Gjilan, më 23 qershor 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy fitore, nëntë podiume por edhe disa gara tërësisht zhgënjyese.…