Kriza e koronavirusit kërcënon lirinë e shtypit nëpër botë
Në mbarë botën, regjimet diktatoriale janë përpjekur të shtypin lirinë e medias gjatë pandemisë së koronavirusit, thotë CNN.
Në Kinë, qeveria pretendon se kontrolli mbi informacionin është i nevojshëm për të luftuar sëmundjen. Nga Chen Qiushi, një gazetar që udhëtoi në muajin janar drejt Wuhanit ku u zbulua virusi, dhe i cili postoi video në YouTube duke raportuar se spitalet ishin të mbingarkuar, nuk dihet më asgjë që prej datës 6 shkurt. Në listë, CNN fut dhe Hungarinë, ku siç thotë, një ligj i ri për t’i dhënë kryeministrit kompetenca të zgjeruara gjatë emergjencave, përfshin një dispozitë që ndalon publikimin e atyre që cilësohen si “informacione të rreme” në lidhje me pandeminë; shkelësit rrezikojnë deri në pesë vjet burg.
Gazetarë vendas i thanë Deutsche Welle se ligji ka krijuar paqartësi nëse ata mund të ndiqen penalisht edhe për raportimin e informacioneve të vërteta dhe se e gjithe kjo e bën shumë të vështirë punën e grumbullimit të të dhënave. Por abuzimi me lirinë e shtypit në këto kohë, nuk është kufizuar vetëm në regjimet autoritare. Edhe në Afrikën e Jugut, një ligj i ri e konsideron krim dezinformimin publik mbi sëmundjen. Shqetësuese janë edhe disa zhvillime të kësaj natyre në Indi ku qeveria e Narendra Modi po përpiqet të sigurojë nga Gjykata e Lartë dritën jeshile që për publikimin e çdo lajmi mbi koronavirusin të kërkohet më parë leje shtetërore.
Në një kohë kur puna e tyre nevojitet më shumë, gazetarët në mbarë botën po rrezikojnë jo vetëm lirinë, por edhe jetën në vijën e parë të mbulimit të kësaj pandemie. Ata meritojnë vlerësimin dhe mbështetjen e të gjithëve sot më shumë se kurrë, thotë CNN./tch/