Kriza e valutës në Turqi nuk ka efekt në Kosovë, për momentin
Zhvlerësimi i valutës kombëtare turke mund të ketë ndikim indirekt në ne ekonominë e Kosovës, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike.
Lira turke ka prekur rënie rekorde prej 6.97 ndaj dollarit para dy ditësh që nënkupton humbje të vlerës së kësaj valute në këtë vit për 46 për qind.
Turqia është një prej shteteve me praninë më të madhe të importit dhe investimeve direkte në Kosovë.
Sipas ekspertëve, kriza në Turqi, mund rritë vlerën e importeve të produkteve por që mund të zvogëlojë vlerën e eksporteve.
Ndërkaq, ndikimet tek investimet e huaja direkte të shtetit të Turqisë në Kosovë mund të vërehen në një periudhë më të gjatë, nëse kriza vazhdon.
Lekë Musa, ish-kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se efekte të pakta pozitive mund të ndjehen tek ulja e çmimeve të produkteve të importuara nga Turqia në Kosovë. Kurse, tek investimet direkte kjo mund të vërehet më vonë.
“Në periudhën afatshkurtër nuk pres që mund të ketë ndonjë ndikim. Mirëpo, nëse do të kishte një ndikim afat gjatë në ekonominë dhe pozitën e investitorëve turq, atëherë mund të ketë ndikim”, është shprehur Musa
Edhe Alban Hashani, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë” ka theksuar se importi i mallrave nga Turqia mund të rritet për shkak të zhvlerësimit të monedhës turke krahasuar më valutën euro, por që eksporti mund të zvogëlohet.
“Kosova importon mallra nga Turqia dhe kjo rrjedhimisht këto mallra i bën më të lira për tregtarët e Kosovës. Ndikimi tjetër që mund të ndikojë në mënyrë indirekte është në qoftë se kriza e valutës në Turqi do mund të zgjerohej edhe në eurozonë që janë partnerë të rëndësishëm tregtarë të Kosovës dhe Turqisë, për shkak se një numër i madh i bankave evropiane janë të ekspozuar rriskut valuator të Turqisë”, ka thënë Hashani.
Vlerat e importit të mallrave turke në Kosovë vitin e kaluar kanë qenë rreth 300 milionë euro, duke e radhitur në vendin e tretë, pas Serbisë dhe Gjermanisë, përderisa eksporti i produkteve të Kosovës në Turqi ka qenë rreth 7.2 milionë euro.
Kurse, vetëm në vitin 2017, investimet e shtetit turk në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, kanë qenë rreth 30 milionë euro, të dhëna këto që Turqinë e radhisin si shtetin e katërt më vlerën e investimeve, pas Gjermanisë, Zvicrës dhe Britanisë së Madhe.
Qytetarët e Kosovës, përveç bashkëpunimit tregtar, Turqinë e konsiderojnë si një vend atraktiv turistik, sidomos gjatë sezonit veror.
Përfaqësues të operatorëve turistikë në Kosovë, thonë se në dy muajit e fundit është rritur kërkesa e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në Turqi, konkretisht në bregdete.
Pavarësisht kësaj, Vetiola Reçica, nga agjencia turistike “Eurokoha” ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se deri më tani klientët nuk kanë vërejtur lëvizje të çmimeve. “Zhvlerësimi lirës, realisht nuk ka ndikuar në çmimin e hoteve, për shkak se hotelet janë rezervuar më herët me çmimet që kanë qenë më herët dhe për shkak të rritjes se madhe të kërkesës për të udhëtuar në Turqi, çmimet nuk kanë lëvizur”, është shprehur Reçica.
Sipas të dhënave të Ambasadës së Kosovës në Ankara, në Kosovë operojnë rreth 300 kompani turke dhe prej tyre 11 janë kompani të mëdha.
Disa nga kompanitë turke më të mëdha që operojnë në Kosovë, janë Enka, Limak, Çalik dhe Banka Ekonomike Turke (TEB).