Kriza ekonomike: Mbi 9% më pak ndërmarrje të regjistruara, krahasuar me vitin 2021
Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e saj “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë (TM3) 2022”, tregon se në TM3 2022 gjithsej janë regjistruar 2 mijë e 722 ndërmarrje.
Sipas të dhënave të këtij raporti, krahasuar me TM2 të këtij vitit ka rënie prej 4% të ndërmarrjeve të regjistruara, ndërkohë që vërehet një rënie prej 9.8 për qind me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3, 2021).
Sipas këtij raporti, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë kësaj kohe ishin kryesisht: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 543 ndërmarrje të regjistruara (19.9%); Prodhimi me 345 ndërmarrje të regjistruara (12.7%); Ndërtimtaria me 306 ndërmarrje të regjistruara (11.2%); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 281 ndërmarrje të regjistruara (10.3%); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 276 ndërmarrje të regjistruara (10.1%).
“Ndërkaq, sipas kategorisë së të punësuarve në ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor, del se: me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 650 ndërmarrje të regjistruara (97.4%); me 5 deri 9 të punësuar janë 60 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar 10 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); me 20 deri 249 të punësuar ishin 2 ndërmarrje të regjistruara (0.1%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar në këtë tremujor”, thuhet në raport.
Në anën tjetër sa i përket shtrirjes gjeografike, ndërmarrjet e regjistruar prijnë kryesisht në Prishtinë, më pas në Prizren Ferizaj, Gjilan dhe komuna të tjera.
“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 824 ndërmarrje të regjistruara (30.3%); Prizreni me 223 ndërmarrje të regjistruara (8.2%); Ferizaj me 217 ndërmarrje të regjistruara (8.0%); Gjilani me 148 ndërmarrje të regjistruara (5.4%); Peja me 130 ndërmarrje të regjistruara (4.8%); dhe Gjakova me 126 ndërmarrje të regjistruara (4.6%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, thuhet në raport.