Kriza energjetike, ekspertët kërkojnë të analizohet mundësia e prodhimit të gazit nga linjiti
Instituti për hulumtime zhvillimore “Riinvest” në bashkëpunim me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka organizuar debatin për çështjen e gazit në Kosovë, në kontekst të orientimeve strategjike në sektorin e energjisë.
Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Instituti “Riinvest”, tha se në korrik të këtij viti ligjvënësit e Bashkimit Evropian në mbështetje të propozimit nga Komisioni Evropian kanë vendosur që gazi natyror të konsiderohet burim i gjelbër dhe i qëndrueshëm i energjisë.
Prandaj sipas tij, në rrethanat kur sistemit energjetik të Kosovës i nevojitet fleksibilitetit më i madh, diskutimet lidhur me zhvillimin e rrjetit të gazit si dhe mundësisë së prodhimit të gazit nga linjiti, nuk kanë marrë vëmendjen meritore.
Ai më tej shtoi se në draft-strategjinë për energjinë nuk ka detaje të hollësishme për këtë çështje vetëm se përmendet studimi i fizibilitetit me Maqedoninë e Veriut.
“Në draft-strategjinë e energjisë theksohet se opsionet për ndërtimin e një sistemi me bazë gazi natyror në Kosovë janë duke u analizuar në Master Planin e Gazit dhe në studimin e fizibilitetit për tubacionin e interkoneksionit të gazit në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, pa u dhënë detaje më të hollësishme. Për më tepër, në draft strategji nuk diskutohet fare mundësia e prodhimit të gazit nga linjiti në Kosovë”, ka thënë ai, raporton “Ekonomia Online”.
Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i “KFOS”, tha se me përdorimin e gazi do të mundësohet që të përmirësoheshin parametrat ambiental jo vetëm në vend, por edhe ata global.
Sipas tij, Qeveria e ka të qartë se edhe rajoni po përballet me krizë energjetike, prandaj edhe duhet ta marrë seriozisht furnizimin me gaz, ngase e ka edhe obligim.
“Ne kemi ftuar këtë tryezë të bisedojmë për gazin e cila është temë botërore. Me të madhe është biseduar si do t’ia bëjmë këtë dimër. Kemi fol për qymyrin dhe kemi evituar të flasim për diçka që si t’i projektojmë zhvillimet energjetike në Kosovë. Ishte nevoja të mendohet më ndryshe për energjetikë. Me përdorimin e gazit do t’i përmirësojmë shumë parametra ambiental, global”, ka thënë Shllaku.
Geri Selenica, drejtor ekzekutiv nga Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike, tha se Kosova është e treta sa i përket ndotjes nga qymyri pas Polonisë dhe Gjermanisë, prandaj edhe duhet që të fokusohet në alternativa të tjera.
Sabit Restelica, konsulent për Çështje Mjedisore, tha se cilësia e linjitit është shumë e ulët, duke shtuar se me anë të teknologjisë mund të ketë avancime.
“Cilësia e linjitit është shumë e ulët dhe përbërja e hirit nuk janë të favorshme në prodhimin energjetik. Teknologjia ka avancuar shumë. Hulumtimet për teknologji të reja kanë arritur rezultate të mira”, ka pohuar ai, duke shtuar se linjitin duhet ta zhvillojmë me teknologjinë në të avancuar.
Instituti për hulumtime zhvillimore “Riinvest” në bashkëpunim me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë lansuar platformën Green Action Space e cila përmban aktivitete kërkimore, arsimore dhe avokuse për të kontribuar në ndërtimin e kapaciteteve tek akterët e ndryshëm dhe për avancimin e politikave që ndërlidhen me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në kuadër të kësaj platforme janë paraparë një seri debatesh “GREEN TALKS” lidhur me çështjet vitale që ndërlidhën me Agjendën e Gjelbër si një prioritet në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.