Kriza energjetike, Japonia fillon dërgesat e gazit natyror në Evropë
Qeveria e Japonisë ka konfirmuar gatishmërinë për të ofruar një pjesë të rezervave të saj të gazit natyror për të zbutur krizën energjetike në Evropën e përfshirë nga tensionet gjeopolitike mbi çështjen ukrainase.
Ministri japonez i Ekonomisë, Koichi Hagiuda gjatë takimit me përfaqësuesen e BE-së, Patricia Flor si dhe ambasadorin e ri amerikan Rahm Emanuel i ka siguruar për furnizime të rregullta me gaz.
“Në muajin e ardhshëm në Evropë do të mbërrijnë disa cisterna të gazit natyror të lëngshëm”, theksoi Hagiuda.
Tokio do t’u kërkojë kompanive vendase për të vënë në dispozicion furnizime për kontinentin evropian, duke garantuar se edhe rezervat për vendin do të ishin të mjaftueshme.
Japonia, e privuar nga lëndët e para, deri në vitin 2021 ishte importuesja e parë e gazit në botë dhe sipas analistëve, kontributi i saj do të jetë i kufizuar për të mos prekur autonominë e saj.
Kriza ruso-ukrainase mund të ofrojë një treg të ri për SHBA-në, që në pak muaj është bërë një nga eksportueset më të mëdha të gazit natyror në botë.