Kriza në Kashmir: Pakistani do t’i drejtohet GjND-së
Pakistani ka bërë me dije se do t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me mosmarrëveshjen me Indinë, për rajonin e kontestuar të Kashmirit.
“Ne kemi vendosur ta çojmë çështjen e Kashmirit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vendimi është marrë pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve juridike”, ka thënë ministri i Jashtëm, Shah Mehmood Qureshi për “ARY News TV”.
Më 5 gusht, India e revokoi autonominë e pjesës së administruar prej saj në Kashmir.
Në një fjalim, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka thënë se masa do të lejojë që Nju Delhi të heqë qafe rajonin e “terrorizmit dhe separatizmit”.
Pakistani ka thënë se e “dënon me forcë” vendimin e Indisë. Kashmiri pretendohet edhe nga India dhe nga Pakistani. Të dyja vendet posedojnë armë bërthamore.