Krizat, negociata dhe diplomacia
Prof. Lisen Bashkurti
Krizat janë të kudo dhe kurdo gjendura, nga individi, familja, shoqëria, kombi dhe mbarë njerëzimi. Ato kanë prekur çdo cep të globit dhe kanë karakterizuar çdo kohë të historisë së njerëzimit.
Krizat janë të llojllojshme. Ato gjithashtu përbëjnë një fenomen shumë dinamik. Sado që në dukje ngjarje, krizat janë mjaft unik dhe identikisht të papërsëritshme.
Krizave i kam kushtuar një libër monografi të veçantë.
Negociatat janë një prej mekanizmave paqësor të zgjidhjes së krizave. Ashtu sikundër krizat, edhe negociatat kanë një gjeografi dhe histori shumë të diversifikuar dhe dinamike. Në çdo kohë, rrethanat dhe negociatat janë rruga më e mirë, më e dobishme, më e drejtë, më e lirë dhe më e sigurt për gjetjen e zgjidhjeve të çdo lloj krize. Në Shqipëri dhe përgjithësisht në Ballkan negociatat janë kulturë e munguar.
Negociatave i kam kushtuar një libër monografi të veçantë.
Diplomacia është arti dhe shkenca e negociatave. Diplomacia ka lindur nga nevoja për të negociuar. Diplomacia ekziston kryesisht si proces permanent negocimi. Nga ana tjetër negocimi merr formë përmes veprimit diplomatik. Diplomacia dhe negociatat janë sinonim i njëra-tjetrës. Dhe të dyja së bashku janë komunikim. Komunikimi diplomatik ndërthurë tri mënyra: bisedimin, dialogun dhe negociatat. Tri këto mënyra komunikimi duan qetësi, sinqeritet, kulturë, profesionalitet, etikë, mirësjellje. Ne Shqipëri veçanërisht kultura e bisedimit, dialogut dhe negocimit është dukshëm e munguar.
Diplomacisë, pra kulturës dhe teknikave të bisedimeve, dialogut dhe negocimit i kam kushtuar disa libra monografik.
Krizat, negociatat dhe diplomacia janë emergjente në jetën shoqërore, institucionale dhe politike shqiptare. Njerëzimi i ka studiuar shkencërisht këto fusha dhe na ka lënë një trashëgimi shumë të vyer. Kjo trashëgimi lypet të njihet, të kultivohet dhe respektohet në shoqëritë tona, në të kundërt krizat, konfrontimet, ekstremizmi i dhunshëm, arroganca, autoritarizmi, imponimi i mazhorancave dhe injorimi minorancave do të krijojnë kriza ciklike pa rrugëdalje.
Le të lexojmë përpara se të mendojmë;
Le të dëgjojmë përpara se të flasim;
Le të besojmë përpara se te lutemi;
Le të shohim larg, përpara zgjidhjeve të çastit;
Le të çmojmë qetësinë, përpara nervozizmit;
Le të buzëqeshim, përpara zgerdhimjes;
Le të shigjetojmë veten, përpara të tjerëve.