Krizë për bukë në Afgansitan, Banka Botërore dhuron 280 milionë dollarë për ushqime
Kriza humanitare në Afganistan sa vjen e thellohet. Aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për fonde, që miliona qytetarë, të cilët nuk kanë as batanije për dimër, të mundet ta kalojnë këtë periudhë.
Donatorët ndërkombëtarë, pas thirrjeve të shumta, ranë dakord të shtunën që të japin 280 milionë dollarë ndihmë për Afganistanin.
Sipas statistikave të organizmave ndërkombëtare më shumë se gjysma e popullsisë përballet me mungesë “akute” të ushqimit këtë dimër.
Fondi për Rindërtimin e Afganistanit do të shkojë “për të ofruar ndihmë humanitare për popullin e Afganistanit në këtë kohë kritike”, tha Banka Botërore në një deklaratë.
Fondet do të shkojnë për UNICEF-in dhe Programin Botëror të Ushqimit , të cilët “kanë prezencë dhe kapacitet logjistik në terren në Afganistan dhe do t’i përdorin këto fonde për të ofruar shërbime shëndetësore dhe ushqimore drejtpërdrejt për popullin afgan.”, thanë zyrtarët e Bankës Botërore.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se Afganistani është në prag të krizës më të keqe humanitare në botë, ku rreth 22 milionë afganë, ose më shumë se gjysma e vendit, përballen me mungesë “akute” të ushqimit në muajt e dimrit, duke detyruar miliona të zgjedhin midis migrimit dhe urisë. Një ndër arsyet kryesore është vendimi i komunitetit ndërkombëtar për të ngrirë fondet pas marrjes së pushtetit nga talibanët.