Kroaci shënoi 28-vjetorin e masakrës së Vukovarit
Viktimat e masakrës së Vukovarit të vitit 1991 u përkujtuan sot në përvjetorin e 28-të.
Vukovari, një qytet që ndodhet në afërsi të kufirit me Serbinë përgjatë lumit Danub, ishte skenë e luftimeve të ashpra pas shkëputjes së Kroacisë nga ish-Jugosllavia.
Ushtarët e Jugosllavisë bashkë me forcat paramilitare serbe e kanë mbajtur qytetin e Vukovarit nën rrethim për 87 ditë. Në këto ditë, në qytet ranë më shumë se 11000 bomba dhe qyteti kaloi në duart e forcave serbe më 18 nëntor të vitit 1991.
Mijëra qytetarë dhe zyrtarë kroatë morën pjesë në ceremoninë përkujtimore në Vukovar.Në mesin e tyre ishin edhe presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç, kryetari i Parlamentit, Gordan Jandrokoviç dhe kryeministri Andrej Plenkoviç, të cilët morën pjesë në ceremoninë para spitalit ku u trajtuan të plagosurit, i cili është simbol i masakrës së Vukovarit.Në fjalimin e tij, Jandrokoviç tha se në Vukovar kishte edhe epikë heroike, edhe tragjike.
Ai theksoi se ata që u vranë në Vukovar, kanë sakrifikuar jetët e tyre për të mbajtur gjallë Kroacinë sot. Kryeministri Plenkoviç tha se Vukovari meriton një respekt të veçantë. Gjatë ceremonisë, u mbajt një marsh përkujtimor nga spitali deri te varrezat përkujtimore, ku u varrosën viktimat e masakrës. Të afërmit e viktimave dhe qytetarët vendosën lule te varrezat.
Është përllogaritur se mbi 3000 persona, kryesisht kroatë, u vranë dhe mijëra të tjerë u mbajtën nëpër kampe. Gjatë rrethimit, qyteti praktikisht u rrafshua.
Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (ICTY) për masakrën ndaj civilëve të qytetit ka dënuar me burg zyrtarët e ushtrisë së ish Jugosllavisë, Mile Mrkshiç (10 vite) dhe Veselin Sljivançanin (20 vite). Pas luftës, Vukovari u vendos nën administrim të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe u riintegrua si pjesë e Kroacisë në vitin 1998.Pushtimi serb, i cili filloi pas rrethimit, zgjati deri më 15 janar të vitit 1998.Trupat e rreth 500 personave të vrarë në Vukovar nuk janë gjetur akoma./KP