Kroacia bllokon importin e patateve të skuqura nga Serbia, kjo është arsyeja
Kroacia ka bllokuar importin e patateve të skuqura nga Serbia, pas paralajmërimeve nga Komisioni Evropian se në to ka substancë kancerogjene.
Siç ka informuar Komisioni Evropian të mërkurën, përmbajtja e lartë e akrilamidit është gjetur në patate të skuqura (çipsa) me aromë speci nga Serbia.
“Niveli i akrilamidit është më i lartë se vlerat treguese të përcaktuara nga Rregullorja e Komisionit (BE) nr. 2017/2158”, është bërë e ditur në faqen e KE-së.
Akrilamide është një substancë që formohet përmes një reaksioni kimik natyror midis sheqernave dhe asparaginës, një aminoacid, në ushqimet me bazë bimore – duke përfshirë ushqimet me bazë patate dhe drithëra. Akrilamide formohet gjatë gatimit në temperaturë të lartë, të tilla si skuqja dhe pjekja.
Akrilamidi është një kancerogjen i mundshëm te njerëzit. Ka disa prova që shkakton kancer të pankreasit te njerëzit dhe është treguar se shkakton kancer të sistemit nervor qendror dhe llojeve të tjera të kancerit te kafshët.