Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë e Mbrojtës dhe FSK-në
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur të martën në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.
Me këtë rast, ajo e ka uruar Mehajn për detyrën e re dhe ka premtuar se Kroacia si një vend mike e Kosovës, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë të ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në të gjitha fushat dhe komponentët e tyre në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e tyre.
Ndërsa ministri Mehaj ka shprehur mirënjohjen e thellë për Republikën e Kroacisë, për përkrahjen e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar me rëndësi të madhe mbështetjen për zhvillimin e kuadrove profesionale me shkollimet dhe trajnimet në qendrat specialistike dhe akademinë ushtarake të ofruar në vazhdimësi si dhe përvojën e forcave kroate në fushën e operacioneve paqeruajtëse, industrinë e mbrojtjes dhe fushave tjera specifike.
Në fund, të dy palët janë pajtuar që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në funksion të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare të mbrojtjes për ofrimin e kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.
Ambasadorja Barishiq gjatë vizitës u shoqërua nga ana e atasheut ushtarak i akredituar për Kosovë, kolonel Marijana Plesha Çadoniq e cila realizoi edhe takimin lamtumirës me rastin e përfundimit të detyrës së saj. Për kontributin e saj në thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të ministrive të dy vendeve, ministri Mehaj e ka dekoruar me medaljen për shërbim të shquar.