Kroacia e njeh Holodomorin si gjenocid

28 qershor 2023 | 14:21

Parlamenti i Kroacisë ka votuar të mërkurën për njohjen e Holodomorit si gjenocid.

Ky term nënkupton vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë në vitet 1930, nën udhëheqësin sovjetik, Joseph Stalin.

Regjimi i tij kishte krijuar artificialisht uri, që pati prekur popullsinë e Ukrainës sovjetike, të Kaukazit të Veriut dhe të zonës përreth rrjedhës së poshtme të lumit Vollga, midis viteve 1932 dhe 1933.

Vlerësohet se deri në 9 milionë njerëz vdiqën si rezultat i ekzekutimeve, dëbimeve dhe urisë gjatë Holodomorit.

Më e goditura ishte Ukraina, si zona më pjellore bujqësore e Bashkimit Sovjetik.

Me deklaratën e miratuar, Parlamenti kroat tha se e njeh Holodomorin si gjenocid kundër popullit ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e falënderoi Kroacinë për këtë veprim.

“Bota nuk do t’i pranojë kurrë krimet e Kremlinit – as të shkuarat, as të tashmet”, ka shkruar Zelensky në “Twitter”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka shprehur po ashtu mirënjohje për Kroacinë, duke thënë se “njohja globale e gjenocidit të Holodomorit” vazhdon të rritet me shpejtësi.

Ai ka thënë se 27 vende e njohin urinë si gjenocid.

Viktimat e Holodomorit përkujtohen në Ukrainë dhe në mbarë botën çdo vit, në të shtunën e katërt të nëntorit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet në Suedi e kanë miratuar djegien e Kur’anit si…