Kroacia fiton finalen e vogël ndaj Marokut
Kroacia është vendi i tretë më i mirë në Kupën e Botës në Katar 2022. Skuadra e Dalic mori një fitore 2-1 ndaj Marokut, në finalen e vogël të luajtur pasditen e sotme.
Ekipi ballkanas e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke kaluar shumë shpejt në avantazh që në minutën e 7-të. Kroacia ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, me Gvardiol që finalizoi një kombinim perfekt me Perisic. Vetëm dy minuta më pas, pas një goditje standarde, Achraf Dari shënon me kokë, pas një goditje dënimi.
Kroatët luajnë më mirë dhe për këtë fakt do të merrnin shpërblimin në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 42-të, Orsic me një goditje shumë të bukur në trekëndëshin e portës, ka arritur që të mposht portierin Bono, që nuk arriti ta ndalte me gjithë zgjatjen.
Në pjesën e dytë, Kroacia u tregua shumë e kujdesshme duke u rikthyer të ndeshjet e këtij Botërori. Maroku ndërkohë kishte shumë vështirësi për të gjetur hapësira, ndërkohë që nuk munguan as dëmtimet e shumta nga të dyja skuadrat për shkak të lodhjes.