Kroacia i plotëson kushtet e anëtarësimit në zonën Schengen
Komisioni Evropian konfirmoi se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kushtet teknike për t’u bërë anëtare e zonës së lëvizjes së lirë – Schengen.
“Sot e përgëzojmë Kroacinë. Ajo i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar përmbushjen e të gjitha pjesëve përkatëse të Marrëveshjes së Schengenit”, ka thënë komisionari evropian për Punë të Brendshme, Dimmitris Avramopulous.
Ai u zotua se institucioni i tij do të vazhdojë të mbikëqyrë përparimin e Kroacisë në këtë drejtim dhe tha se vëmendje e posaçme do t’i kushtohet kontrollit të kufijve të jashtëm evropianë, “veçanërisht kufirit me Bosnje e Hercegovinën”.
Avramopulous tha se ka disa shqetësime në lidhje me kufirin me Bosnjën dhe porositi Zagrebin zyrtar se hyrja në zonën Schengen përfshin shumë përfitime, por edhe detyrime.
“Një nga detyrimet është kontrolli i kufirit të përbashkët evropian”, ka theksuar Avramopulous.
Kroacia ka aplikuar për hyrje në zonën Schengen në vitin 2015.