Kroacia ia dhuron Kosovës 20 mijë vaksina kundër Covidit

01 korrik 2021 | 15:17

Kroacia ka ndarë të enjten 20 mijë vaksina kundër koronavirusit për Kosovën.

Kryeministri i këtij vendi, Andrej Pllenkoviq, ka thënë se sasi e njëjtë dozash do të ndahet edhe për Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kirgizinë, ndërsa për Bosnje e Hercegovinën do të ndahen 210 mijë doza.

“Në bazë të porosive tona, do të kemi doza të mjaftueshme dhe do të bëjmë edhe donacione të tjera gjatë vitit”, ka thënë Pllenkoviqi.

Tash për tash, nuk është e qartë se të cilit prodhues janë vaksinat e dhuruara.

Kroacia i ka dhuruar më herët Kosovës edhe 10 mijë vaksina, të cilat janë dorëzuar në muajin qershor.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv i qytetarëve.

Imunizimi, deri më tash, është bërë me vaksina të dhuruara nga programi “COVAX” i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bashkimi Evropian dhe shtetet individuale.

Këtë javë, në Kosovë kanë nisur të arrijnë edhe kontingjentet e para të vaksinës “Pfizer/BioNTech”, të parapara me kontratën që ka nënshkruar Qeveria e Kosovës me kompaninë farmaceutike amerikane “Pfizer”.

Kontrata për blerjen e mbi një milion dozave është nënshkruar në muajin maj.

Deri më tash, në Kosovë janë dhënë mbi 189 mijë vaksina. Mbi 45 mijë  qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Interit ka konfirmuar largimin e mbrojtësit Ashley Young…