Kroacia mbështet Kosovën në aspiratat euroatlantike

27 janar 2023 | 12:49

Grupi i Miqësisë Kosovë – Kroaci në Kuvendin e Kosovës, së bashku me Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kanë pritur në takim Grupin e Miqësisë me Kosovën të Parlamentit të Kroacisë.

Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin që të dy kuvendet kanë ndërtuar midis tyre ndër vite, me mundësinë për ta zgjeruar atë më tej në të gjitha nivelet e jetës parlamentare.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala dhe kryetari i Grupit të Miqësisë me Kroacinë, Arbër Rexhaj, kanë shprehur gatishmërinë dhe interesimin për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet dypalëshe, në fusha të ndryshme të interesit reciprok.

Ata kanë vlerësuar lart mbështetjen kroate për Kosovën në të gjitha fazat, duke theksuar rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Ekonomi, Zarko Tusek, duke e konsideruar Kosovën aleat dhe shtet mik të Kroacisë, ka thënë se mbështetja e Zagrebit zyrtar për Kosovën në procesin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, është interes strategjik për shtetin e tij.

Edhe kryetari i Grupit të Miqësisë, Ante Bacic, ka vënë në pah gatishmërinë për të ofruar përvojën dhe mbështetjen e Kroacisë në aspiratat euroatlantike të shtetit të Kosovës.

Në këtë takim me diskutimet e tyre kontribuuan edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Kroacisë.

Të dy palët janë pajtuar për të gjetur rrugë të reja për avancimin e bashkëpunimit në sferën politike, ekonomike, prodhimtari, punësime sezonale, siguri, arsim dhe shëndetësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovë (FFK) ka mbajtur sot (e…