Kroacia mbetet e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit me Kosovën
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mirëpritur në takim ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barishiq.
Në takimin e sotëm, ministrja Haxhiu e ka falënderuar ambasadoren Barishiq për bashkëpunimin e deritanishëm duke e konsideruar Kroacinë si një vend ndër vendet mike dhe një partner shumë të rëndësishëm për Kosovën.
Gjatë diskutimit të zhvilluar në kuadër të këtij takimi, ministrja Haxhiu e ka njoftuar ambasadoren Barishiq me prioritetet të cilat synon t’i realizon gjatë mandatit të saj, përfshirë reformën në drejtësi dhe zbatimin e saj, sundimin e rendit dhe ligjit si dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në anën tjetër, ambasadorja Barishiq ka falënderuar ministren Haxhiu për gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në çështje të caktuara, veçanërisht në bashkërendimin e aktiviteteve me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit, duke theksuar se Kroacia mbetet e përkushtuar në thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.
/Epoka e re/