Kroacia për histori dhe hakmarrje ndaj Francës
Botërori “Rusi 2018” përfundon të dielën me shpalljen kampione të Francës ose të Kroacisë. Franca do të bëjë përpjekje ta fitojë për herë të dytë kupën gjatë historisë së vet të futbollit, kurse Kroacia për herë të parë. Pavarësisht prej përpjekjeve dhe dëshirave të tyre, ky botëror ka qenë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët do ta mbajnë mend gjatë pasi, prej katër lojtarëve që kanë shënuar gola për ekipet e veta, dy prej tyre, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, i kanë shënuar gola Serbisë.
Kombëtarja e Kroacisë ka shkruar historinë duke arritur suksesin më të madh në historinë e vet: kualifikimin në finalen e Botërorit të Futbollit. Kroatët e mposhtën 2-1, pas kohës shtesë, Anglinë dhe e siguruan finalen që zhvillohet më 15 korrik në Moskë kundër Francës.
Ky sukses nuk është i mjaftueshëm për Kroacinë, pasi kjo kombëtare po dëshiron ta shkruajë historinë duke triumfuar në Kupën e Botës, por po kërkon hakmarrje edhe ndaj Francës për eliminimin në gjysmëfinale të Kupës së Botës në vitin 1998.
“Franca na ndaloi në gjysmëfinale në vitin 1998. Ne do të kemi një motivim shtesë për shkak të kësaj, me siguri, por kjo është një histori krejtësisht e ndryshme”, ka thënë sulmuesi kroat Ivan Perisiq.
“Franca është favorite, por ne do të bëjmë çmos për t’i befasuar. Edhe në tri ndeshjet e fundit kemi vuajtur shumë, por kemi arritur të dalim triumfues. Kjo flet shumë për shpirtin tonë si ekip. Kjo është një veçori e vërtetë e këtij brezi lojtarësh. Na ka mbetur dhe një ndeshje dhe kurrë më shumë se tani nuk kemi qenë të motivuar”, ka deklaruar sulmuesi i Interit.
Optimizëm për triumf në “Rusi 2018” shprehin edhe francezët, të cilët e kanë fituar një herë këtë kompeticion në vitin 1998, kur e kishin mposhtur Brazilin. Franca arriti të kualifikohet edhe në finalen e Evropianit “Euro 2016”, kur u mposht nga Portugalia. Kjo humbje, sipas mbrojtësit Samuel Umtiti, i ka pjekur më shumë francezët.
“Ne kemi marrë mësime të vlefshme nga finalja e 2016-s. Tash jemi në rrugën e duhur. Jemi rritur dhe kemi treguar se mund të jemi shumë të fortë”, ka deklaruar ai. Mbrojtësi i Barcelonës ishte ai që e shënoi golin e kualifikimit në ndeshjen ndaj Belgjikës në gjysmëfinale, kurse lidhur me Kroacinë ka deklaruar: “Ne e dinim se në këtë turne do të luanim kundër lojtarëve më të mirë në botë. Do ta përgatisim me kujdes finalen dhe do të përpiqemi t’i ndalojmë Modriqin, Mandzukiqin apo Rakitiqin. Ne nuk duhet të lejojmë të luajnë si duan ata, përndryshe do të jetë shumë e lehtë për ta”. Ndeshja fillon në orën 17:00 dhe zhvillohet në “Luzhniki”.
/Epoka e re/