Kroacia sërish synon shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Qeveria kroate ka bërë të ditur planet për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke synuar përfshirjen e të rinjve në trajnimet bazë ushtarake. Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur një paketë propozimesh ligjore që rregullojnë këtë proces.
Sipas ministrisë, procedurat për miratimin e ligjit pritet të nisin në janar, ndërsa thirrjet e para për rekrutët janë planifikuar për mesin e vitit 2025.
Ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, deklaroi se çdo vit rreth 17,000 deri në 18,000 të rinj që mbushin 18 vjeç do të jenë kandidatët potencialë për trajnimin ushtarak.
Presidenti kroat Zoran Milanoviç nuk ka kundërshtuar hapur këtë iniciativë, por ka kërkuar që ajo të diskutohet në një seancë të Këshillit të Mbrojtjes për të analizuar të gjitha aspektet.
Kroacia ndjek kështu një trend rajonal, pasi edhe Serbia, një tjetër vend ballkanik dhe kandidate për anëtarësim në BE, njoftoi më herët gjatë këtij viti planet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.