Kroacia synon furnizimin me energji përmes termocentralit bërthamor
Kroacia është ndër dhjetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që i kanë kërkuar Komisionit Evropian të njohë termocentralet bërthamore si një burim energjie me nivele të ulëta të karbonit në kuadër të tranizicionit dhjetëvjeçar të bllokut drejt transformimit të burimeve të energjisë për t’i bërë ballë ndryshimeve klimatike.
“Për të fituar betejën klimatike, ne kemi nevojë për energji bërthamore”, thuhet në deklaratën të cilën e kanë nënshkruar edhe përfaqësuesit e Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Rumanisë, Sllovenisë, Francës, Finlandës dhe Republikës Çeke.
Duke u mbështetur në krizën e vazhdueshme të energjisë në Evropë, vendet propozojnë energjinë bërthamore si një “burim kryesor energjie të përballueshëm, të qëndrueshëm dhe të pavarur” që mund të mbrojë konsumatorët e BE -së nga “ekspozimi ndaj paqëndrueshmërisë së çmimeve”.
Impiantet bërthamore prodhojnë mbi 26% të energjisë elektrike të prodhuar në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian pritet të marrë një vendim në muajt e ardhshëm nëse rregullorja do të përfshijë edhe energjinë bërthamore dhe gazin natyror si investime të gjelbra.
Kroacia e nënshkroi dokumentin më 11 tetor, në të njëjtën ditë kur vendin e vizituan një grup i madh biznesmenësh francezë, së bashku me përfaqësuesit e Shoqatës së Punëdhënësve Francezë – Medef.
Në tetor apo nëntor në Kroaci pritet të qëndrojë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Në Evropë, francezët janë të parët për teknologjinë e energjisë bërthamore, dhe kanë treguat interes për të investuar në sektorin e energjisë të Kroacisë.
Konsumi i energjisë elektrike kroate është rreth 18 teravat orë. Kroacia importon pak më pak se gjysmën e nevojave të saj për energji – energjinë elektrike nga disa drejtime, ndërsa gazin natyror vetëm nga Rusia.
Përmes Termocentralit Bërthamor në Kërshko të Sllovenisë, pronësinë e të cilit e ndajnë përgjysmë Kroacia dhe Sllovenia, Kroacia plotëson rreth 15 për qind të nevojave të saj për energji.
Cila është situata me tranzicionin e gjelbër evropian tani, si përshtaten termocentralet bërthamore në të dhe ku është vendi i Kroacisë në gjithë këtë?
“Gjatë 20 viteve të ardhshme Tranzicioni i gjelbër i Evropës shoqërohet me një mori pyetjesh në aspektin teknologjik dhe financiar, dhe në këtë kuptim energjia bërthamore mund të jetë një zgjidhje kalimtare dhe ndoshta një zgjidhje e përhershme”, tha për Radion Evropa e Lirë, Igor Dekaniq, nga Fakulteti i Minierave, Gjeologjisë dhe Inxhinierisë së Naftës në Zagreb.
Vendet evropiane mbajnë pozicione të ndryshme. Derisa Franca më shumë se 80 për qind të energjisë elektrike e merr nga nga termocentralet bërthamore në vitin 2011, Gjermania vendosi të mbyllë gradualisht të gjitha termocentralet e saj bërthamore.
“Vendimi gjerman gjithmonë ka qenë i diskutueshëm. Tash edhe më shumë kur kancelare nuk është më Angela Merkel. Mbase, Gjermania do ta shqyrtojë strategjinë e saj të energjisë. Franca është pro termocentraleve bërthamore dhe vendet kryesore të Evropës janë përballë një vendimi që të kthejnë energjinë bërthamore si një mënyrë për të zvogëluar emetimet e karbonit. Në vitet e ardhshme mbase mund të arrihet një konsensus për këtë”, tha Dekaniq.
Ndërsa Marko Bioqina, kryeredaktor për ekonomi dhe financa në grupin e mediave, Hanza Media në Kroaci, i tha Radios Evropa e Lirë se tashmë një sërë vendesh në rajon janë duke investuar në energji bërthamore.
“Hungaria po ndërton një bllok të ri në termocentralin bërthamor Paks së bashku me rusët dhe ata kanë interes nga kjo iniciativë sepse përmes saj mund të transferojnë një pjesë të kostove në fondet evropiane. Sllovakët po ndërtojnë, pastaj polakët nuk kanë asnjë termocentral bërthamor, ata ende furnizohen nga termocentralet me qymyr dhe nuk e shoh se si mund ta ndalin thëngjillin pa e vënë në funksion energjinë bërthamore”, tha Bioqina.
Sipas tij, një sërë investimesh të bëra nga Sllovenia sinjalizojnë se ata janë seriozisht të interesuar për ndërtimin e bllokut të dytë të termocentralit bërthamorë dhe lind pyetja – a është Kroacia partnere?
“Sllovenia do ta ketë shumë të vështirë të realizojë këtë nëse energjia bërthamore nuk përfshihet në rregulloret evropiane të energjisë. Unë mendoj se qeveria kroate, përveç ndoshta vlerësimit se nuk do të ishte keq që Kroacia të merrte pjesë në këtë projekt, ajo e nënshkroi këtë letër edhe për t’ju dhënë dorën Sllovenisë dhe Hungarisë, vende që janë shumë të rëndësishme për Kroacinë që të fitojë anëtarësimit në Shengen”, përfundon Bioqina.
Cili është qëndrimi i autoriteteve?
Gjatë një bisede me gazetarë më 11 tetor, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq nuk e mohoi por as nuk e konfirmoi interesimin e Kroacisë për të hyrë në partneritet me sllovenët për ndërtimin e bllokut të dytë të termocentralit.
“Kroacia ka strategjinë e vet të energjisë. Ne përkrahim burimet e rinovueshme të energjisë, dhe mbështesim furnizimin me atë lloj energjie që do të lëshojë sa më pak gazra serë. Kroacia është 50 për qind bashkëpronare e Termocentralit Bërthamor Kërshko, i cili ka bërë furnizimin me energji elektrike për dyzet vitet e fundit. Pra, ne do ta përdorim atë. Energjia bërthamore ka dëmin më të vogël në mjedis nëse gjithçka është e sigurt”, tha Plenkoviq.
Drejtori i Sektorit për Strategji dhe Zhvillim në Kompaninë Kroate të Energjisë Elektrike, Ivan Androçec, ishte më specific sa i takon kësaj çështjeje.
Më 12 tetor, ai u tha gazetarëve se Kroacia po bën plane afatgjate dhe se në momentin që pala sllovene do të paraqitet me një dokumentacion dhe të përgatitur atëherë Kroacia do ta shqyrtojë nëse do të hyjë në një projekt të tillë.
Kjo, sipas tij, varet edhe nga pala tjetër dhe se çështja i takon negociatave të përbashkëta.
Ai shtoi se në planin afatgjatë nuk duhet të përjashtohet asnjë burim energjie që mund të kontribuojë në dekarbonizim.
“Një nga këto burime është termocentrali bërthamor në planin afatgjatë. Sa më shumë shtete të bashkohen, aq më i shpejtë dhe më i favorshëm do të jetë procesi”, tha Androçec.
Kundërshtime nga të gjelbërit
Aktivistët e mjedisit kundërshtojnë projekte të tilla duke ngritur pyetjen pse shteti nuk i lejon qytetarët të instalojnë panele diellore në shtëpitë e tyre për furnizim me energji elektrike.
“As politika kombëtare dhe as ajo në nivel të BE-së për energjinë dhe klimën nuk duhet të bazohet në energjinë bërthamore si zgjidhje e krizës klimatike. Ne besojmë se fokusi në investimin në një projekt kaq jashtëzakonisht të shtrenjtë, ndërtimi i të cilit do t’i kushtonte qytetarëve të Kroacisë miliarda euro para publike, do të ishte një hap jashtëzakonisht i dëmshëm për qytetarët, klimën dhe mjedisin”, tha Luka Tomac, kreu i Aksionit të Gjelbër të Zagrebit.
Problemet me minierat, transportin dhe veçanërisht me depozitimin e mbeturinave bërthamore janë një problem i madh mjedisor dhe social, dhe ende nuk është e qartë pse Qeveria e Kroacisë nuk po përqëndrohet në solarizimin e mijëra kulmeve të qytetarëve në të gjithë vendin dhe përfshirjen e qytetarëve në tranzicionin e energjisë, shton ai. /rel