
Kroacia zgjat izolimin për shkak të koronavirusit
18 prill 2020
| 17:12
Kroacia njoftoi të shtunën se do të zgjasë izolimin për shkak të koronavirusit edhe për 15 ditë të tjera.
Autoritetet atje i kanë mbyllur dyqanet, baret, restorantet, shkollat dhe transportin publik një muaj më parë.
Vetëm dyqanet ushqimore, barnatoret dhe stacionet e benzinës kanë mbetur hapur.
Ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, tha se masat e izolimit do të vazhdojnë deri më 4 maj.
Ai tha se qeveria po i shqyrton edhe planet për rihapjen e ekonomisë, por duke i mbajtur njerëzit të sigurt.
Kroacia ka regjistruar mbi 1,800 raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Tridhjetenëntë pacientë atje kanë humbur jetën.