Kroatët dhe kriza e fundit në Bosnjë-Hercegovinë

12 mars 2025 | 08:19

Veprimet e fundit separatiste të udhëheqjes serbe në Bosnjë-Hercegovinë (B-H) nuk kanë shumë shanse për momentin. Çfarë qëndrimi mbajnë kroatët në B-H si dhe Kroacia zyrtare lidhur me këto ngjarje?

Situata politike në Bosnjë-Hercegovinë është tensionuar shumë së fundmi për shkak të përpjekjeve të Milorad Dodikut, liderit të serbëve atje, për të vënë në dyshim institucionet qendrore të këtij vendi dhe autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare. Por nga perspektiva e kroatëve të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe e vetë Republikës së Kroacisë, kjo mosmarrëveshje shihet në një këndvështrim të veçantë.

Para së gjithash, sepse Dodik u bëri thirrje atyre të rezistojnë dhe të ringjallin të ashtuquajturin projekt separatist, Herceg-Bosna nga vitet 1990. Për më tepër, një sfidë e tillë mund të jetë delikate duke pasur parasysh dallimet në qasjen e udhëheqjes shtetërore kroate ndaj B-H.

Pak ditë pas fillimit të krizës mes entitetit të Republika Srpska dhe autoriteteve të B-H, nuk duket sikur përfaqësuesit kroatë në atë vend janë të interesuar për një aventurë sipas sugjerimeve të Dodikut.Udhëheqësi i tyre Dragan Çoviq mbetet joformalisht i afërt me Milorad Dodikun, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq po vepron në mënyrë legaliste dhe të rezervuar ndërsa presidenti kroat Zoran Milanoviq nuk e ka komentuar këtë çështje.

“Para disa ditësh, mes rrëmujës për këtë temë, sapo po vrapoja pranë vilës së Çoviqit, sepse atje shkoj zakonisht. Pashë një turmë të pazakontë dhe nuk e dija që Dodik kishte ardhur për ta vizituar, e kuptova më vonë. Por Çoviqi nuk i ofroi më shumë se një mikpritje”, thotë Dragan Markovina, historian dhe komentator politik.

Kërcënim me armë bosh

“Kjo është mjaft e qartë,” vazhdon ai, “kështu që ata nuk janë qartë të gatshëm t’i bashkohen atij për të minuar B-H. Milanoviq me siguri do të ishte i lumtur ta mbështeste atë, siç bëri para vendimit të gjykatës, por tani vlerëson se nuk ia vlen”.

Por çështja mbetet se sa reale është mundësia që Dodik të realizojë planin e tij, nëse vendos të shkojë deri në fund. “Nëse do të më kishit pyetur një ditë pas vendimit të gjykatës, me siguri do të kisha thënë, i impresionuar nga performanca e tij, se kisha frikë nga gjendja. Por tani e shoh që nuk do të ndodhë gjë, se është kërcënim me ‘armë bosh’. Ai është kryesisht i shqetësuar për veten e tij dhe mund të ndërmarrë ndonjë veprim, por as opozita në RS nuk po i jep mbështetje për ndonjë aksion madhor. Prandaj, Dodik nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për shkëputje, megjithëse mund të shkaktojë ndonjë incident të kufizuar. Mendoj se potenciali i tij nuk është më i madh se kaq,” beson Markovina.

Funksionaliteti dhe qëndrueshmëria e B-H në sprovë

Markovina vlerëson se incidente të tilla do të ishin problem edhe për Kroacinë, jo vetëm për shkak të kufirit jashtëzakonisht të gjatë që ndan me pjesën e RS të B-H. Por ai është i bindur se mes kroatëve të B-H ka disponim për një përshkallëzim të gjendjes.

Studiuesi i shkencave politike, kroati Davor Gjenero ka frikë se rebelimi i Milorad Dodikut do të ketë pasoja negative për sovranitetin dhe unitetin, si dhe funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e B-H.

“Sepse edhe nëse Marrëveshja e Dejtonit do të anulohej, B-H mund të organizohet në përputhje me Marrëveshjen e mëparshme të Uashingtonit dhe si një shtet i vetëm do të shtrihej edhe në territorin e entitetit serb. Nëse do të mbetej funksionale”, thotë ai.

Sarajeva është kryeqyteti i kroatëve në B-H

“Rreziku i dytë për B-H rrjedh nga fakti se qeveria aktuale kroate nuk mban qëndrimin ndaj kroatëve të B-H si dikur presidenti kroat Stipe Mesiq.” Plenkoviq mban qëndrim të tillë, por ai nuk guxon t’u përcjellë me kaq forcë kroatëve në B-H se Sarajeva është kryeqyteti i tyre, ndërsa Zagrebi mund të ndihmojë vetëm në forcimin e një klime më të mirë politike.

Ajo që njerëzit në Sarajevë shpesh nuk e kuptojnë është fakti se qëndrimi i Çoviqit ndaj Republikës së Kroacisë nuk është si ai i Dodikut ndaj Serbisë. Gjenero beson se komunikimi është përkeqësuar dhe për shkak të qëndrimeve të Zoran Milanoviqit, i cili ka përsëritur gabimin e politikanëve kroatë që anashkalonin Sarajevën kur vizitonin B-H, duke u rreshtuar në dukje me ato që bën Serbia.

“Unë besoj se e gjithë kjo sot është vetëm një “stuhi në një filxhan çaji”, nëse kemi parasysh se rendi ndërkombëtar në lidhje me B-H ende qëndron si më parë. Por nuk ka dyshim se Dodik dhe Aleksandar Vuçiq do të donin të fusnin në këtë lojë edhe kroatët”, thotë Davor Gjenero. Prandaj, nëse gjërat nuk lëvizin në drejtimin e duhur atëherë gjërat nuk do të qetësohen si duhet. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Studiuesit kinezë kanë zbuluar se rritja e emetimeve të metanit…