Kroi i pashterur i një poezie
Nga Ajet Shala
Duke lexuar vëllimin poetik “Jehonë brigjesh” të poetit Namik Selmani
Poetët e vërtetë që kanë marrë në krijimet e tyre një pasaportë origjinaliteti, kanë një simbolikë të caktuar në vargjet e tyre. Kujtoj këtu kryepoetin e kombit, Dritëro Agollin, me një poezi të lidhur fort me hallet e popullit të tij, me brengat e gëzimet e njeriut të thjeshtë. Kujtoj Ali Podrimjen që e gatoi vargun me brumin e lirisë së Kosovës. Kujtoj Lasgushin e madh me një poezi mes reales dhe hyjnores. Kam vite që e ndjek poezinë e Namik Selmanit. Ia kam lexuar dhe rilexuar gati 20 librat e tij me poezi. Në atë varg veprash të shumta që ai ka bërë në thelb mbetet poet. Madje edhe proza e tij, edhe tregimet edhe esetë kanë një poezi të dukshme brenda vetes.
E ka nisur kryesisht me temën atdhetare. Në vitin 2008 poeti Lirim Deda shkruante për vëllimin e tij poetik “Djepi i këngës” “Namik Selmani është mjeda i kohës sonë”.
Nuk dua të gjykoj këtu të tjerët, po ajo që më vjen në mendje kur lexoj atë poezi, më vjen kroi. Në trojet amtare kroi nuk ishte vetëm vendi ku mbushej uji ose edhe ku laheshin rrobat, po edhe vendtakimi i grave, vendi ku lindnin dashuritë. E poezia e tij në kohët moderne ku nuk ka më kroje dhe vendin e tyre e kanë zënë ujësjellësit, depozitat e ujit, kroi ka hyrë në këngët e folklorit në Kosovë, në Shqipëri, në Iliridë. Duket se poezia e tij është një krua që nuk shteron, që të freskon me ujin e saj jetëdhënës. Me lirikën e tij të ëmbël çame të Kosovës, të mërgimit, ai ka pasaportën e tij që duket qartë në formën artistike, në përmbajtje, në fabula etj.
Krijimtaria letrare e Namik Selmanit është e bujshme dhe e larmishme gjithëpërfshirëse. Nga xhepat e zemrës autori për veshin shqiptar nxori afër pesëdhjetë vëllime, poetike, antologji, tregime, monografi, libra publicistikë, libra për kulturën e të folurit e të shkruarit në shkollat e mesme, libra të karakterit fetar. Autori ka me qindra shkrime të ndryshme të karakterit kombëtar. Ai ka arritur të nxjerrë në dritë shumë botime jashtë vendit si në, ShBA, Zvicër, Angli, Austri, Itali, Maqedoni, Kosovë etj.
Poezia e Namik Selmanit është e shtrirë në hapësirën e klasikes dhe modernes, e pasur me vargje të ëmbla lirike dhe epike kombëtare. Tingulli i vargut të autorit i ngjan atij të lirës që këndshëm rrëshqet nga telat dhe ngadalë prek shqisat e veshit të lexuesve të tij besnik.
Do sjell zogun në qerpikë
Nëm në sy që të heq borën
Më ka dhënë ca thinja floku
Do të sjell nga larg kurorën
Me aromë borziloku.
Gjuha e autorit është e pasur me metafora e figura stilistike që e madhërojnë vargun e tij realist.
Autori me shumë endje dhe profesionalizëm krijon poezi lirike, klasike, lasgushiane, të cilat i thur me një mjeshtri rime të këndshme, në harmoni me vargun e ëmbël dhe të butë. Shpesh i vesh petkun popullor, që e bën lexuesin ta rilexojë me kënaqësi.
Do të ndez qirinj në varre
Do ul kokën nga trishtimi.
Dhe kur livadhojnë livadhe
Dhe mes ngricës që sjell dimri.
Me vargun e tij autori i bëri të pavdekshëm shumë personalitete dhe vizionarë shqiptarë. Shkruan për shumë dëshmorë të rënë në altarin e lirisë. Autori bën edhe funksionalizimin e formës së re të shkrimit modern, që veçohet për vargun e zgjeruar shumërrokësh të thurur edhe me rimë figurative, krahasuese e metaforike. Brenda tyre krijohen variacione të fuqishme poetike. Poezia e Namik Selmanit është e ngritur lart në nivelin artistik, që di e ta bëjë lexuesin për vete.
Zgjimi i bacë Idriz Seferit
E hapat
ta mundin trokëllimën e kuajve të hazdisur
E odat
Ta zgjojnë mentarinë, besën dhe shtrëngimin e Oo,
Gur më gur të ndezim në Karadak frymën e ëndrrës së rilindur!
Cep më cep Kosovës
Ta dëgjojmë urimin e varreve t’ua vëmë kurorën!
Ligjërimi poetik i autorit krijon imazhe të shumta specifike të veçanta duke ndërlidhur strukturat gjuhësore me dialektin çam. Kjo duket sidomos në vargun përkushtues për Çamërinë, prej nga edhe autori ka prejardhjen.
Baladë për vendlindjen
Me një frymë engjëllore
Shkoj në trojet strërgjyshore.
Çamëria, lis i ëndrrës
I jep vrullin vargut, këngës..
Të gjitha ngjarjet janë të sintagmatizuara brenda tekstore, përfshirë abstraksionin në vendet e paprekura, ku në vend të personazheve i sjell në varg hijet e ullinjve, frutave breg Jonit, tharjen e borzilokut, e djepat e kalbur nën rrënoja, varrezat e fundosura.
Nënë hijen e ullinjve
Hodhëm hapat nëpër vite.
Borziloku është tharë
Kalbet djepi nënë gërmadhë
Duke hedhur një vështrim mbi vargjet e kësaj balade për vendlindjen, shohim se autori është i ndikuar nga nostalgjia, që vargun e nxjerr për lexuesin e tij nga zemra ku zjarrmon dashuria për tokën e shenjtë – Çamërinë. Frymën e vargut të tij e përshkon një realizëm i lartë etik, shoqëruar me mall e zjarr dashurie për atdheun, tokën e tij të djegur. Kjo poetikë realiste e autorit bëhet për ta ringjallur ndjenjën, ëndrrën për vendlindjen, djepin, oxhaqet mes rrënojave, kukamën, lavdinë, fustanellën, zilet e shurdhuara të shkollave pa nxënës, kambanat e ndryshkura në gërmadha valët kaltëroshe të Detit Jon.
Poezia e Namikut është një zog që folenë e ka në zemrën e tij dhe, kur del, merr krahët dhe prek me sqep çdo pëllëmbë toke arbërore. Duket se përngjasimi mes masakrave që i janë bërë popullsisë së Kosovës dhe asaj të Çamërisë këtu ka qenë dhe një shtysë emocionale dhe burim i autorit. Ndaj në poezinë e tij ka shumë dhimbje, mall e nostalgji.
O Kosovë, o dritë bajraku
Moj Kosovë, o dritë bajraku,
mos t’u ndaltë kënga te pragu!
Moj Kosovë, diell i ngrohtë,
shkronja udhën ta ndritoftë!
Moj Kosovë rreze lirie,
nëpër kulla paç gëzime!
Në mermer ku prehen trima,
kujto plagë e kujto krisma!
Namiku tanimë është një ndër vjershëtorët më të mëdhenj në letërsinë shqiptare.
Poezia e tij është e fuqishme është mesazhdhënëse për brezat e rinj dhe kënaq dhe edukon lexuesin. Përdor fjalë e mënyra foljesh popullore. Tek lirika arrin të gjejë e prekë figura krahasuese e metafora origjinale. Kjo duket që te titulli i këtij vëllimi poetik “Jehonë brigjesh”. Është jehonë e vargut të tij, që lidh brigjet e atdheut përtej trarëve të doganave. Është vargu ylberor që lartëson poetikën kombëtare drejt piedestalit më të lartë letrar. Brenda poezisë së autorit gjejmë fatet e njerëzve, të gurbetçarëve, të nënave, gjysheve, të natyrës, të mësuesit, shkollës, bujkut, fëmijëve, jetës sociale familjare. Autori tek ky vëllim prek dhimbjen e të kaluarës, krenarinë e lavdinë, duke mos lënë anash të sotmen dhe ardhmërinë për ditët më të lumtura.
Kjo natë mërgimi
Kjo natë mërgimi i paska hapur kanatet e dritareve.
U bika zileve, kambanave me shenjtëlartësinë e saj.
Dhe ti hesht, dhe fut trupin mes çarçafëve
E lotët e mallit i fsheh brenda vetes si margaritar
Ajo që e karakterizon autorin është se ai nuk është përherë i ëmbël si në vargun popullor tek lirikat e tij. Është poet modern me vargun e fuqishëm dhe të zgjeruar, në poema dhe balada, shpesh në vargun e tij gjejmë gjëmë, dhimbje e oii oii oii.
Këpucët e ushtarëve të vrarë
Oo, vetëm ato këpucë, ju lutem, mos i vini në varr
I lini diku në ndonjë Muze Lufte si relike
Gjejani gjuhën tabanëve të mbushur me baltë
Ia zgjidhni lidhëzat e shtrënguara komb në vite!
Vetëm ato mos i vini në një gropë të ftohtë
Kujtoni ushtarin që shkoi pa kortezhin njerëzor
Nuk kishte këmbana lot nënash që klithmojnë.
Nuk dëgjoje goditje trumpete dhe psalmin mortor.
Poezia e Namikut na bën për vete, me mesazhe dashurie për atdheun, natyrën, bjeshkët e blerta, lulet, detin e Jonit shkumbëbardhë. Letërsia jonë përmes vargjeve të vëllimit “Jehonë brigjesh” po pasurohet dhe ushqehet me vargjet lirike-epike, nga më të ndryshmet tema sociale, kulturore, historike, ndjenjë dashurie etj. Ky libër na vjen si një thesar i çmuar për lexuesit arbërorë dhe për vetë letërsinë tonë kombëtare. Autori këtu na sjell gjuhën e përditshmërisë si folklorin popullor dhe të letërsisë moderne kombëtare. Nga qëndrimi personal, filozofik ndaj padrejtësive të botës, Evropës, që kirurgët e saj në errësirë gjymtuan trupin arbëror.
I lini diku në ndonjë Muze Lufte si relike
Gjejani gjuhën tabanëve të mbushur me baltë
Ia zgjidhni lidhëzat e shtrënguara komb në vite!
Vetëm ato mos i vini në një gropë të ftohtë
Kujtoni ushtarin që shkoi pa kortezhin njerëzor
Nuk kishte këmbana lot nënash që klithmojnë.
Nuk dëgjoje goditje trumpete dhe psalmin mortor.
Shumë herë poezia e tij kthehet në një akuzë të fortë ndaj padrejtësive të kohës që nga Shqipëria deri në Evropën e në botën e madhe. Poeti Namik Selmani është prodhimtar. Në parathënien e librit ai shkruan se këtë vëllim e ka shkruar në mërgim në Boston, në Amerikë. Nëse të gjithë e dimë se kurbeti është sfidë, duhet parë edhe si sfidë vargu. Qoftë në frymëzimin që merr, qoftë edhe në forcën për të përballuar të tjera vështirësi që ka ai. E sërish kroi kthehet edhe në kohët moderne si simbolikë e poezive të tij.
Ajet Shala “Ajhasha”
Giubiasco.CH-mars, 2018