Kronologji e ngjarjeve në Kosovë, 11 mars-31 maj 1981, sipas dokumenteve britanike (3)

18 mars 2024 | 13:25

DOKUMENTE BRITANIKE PER DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (3)

Shkruajnë: Prof.dr.Sabit Syla & Prof.dr.Hamit Kaba

-2-

Konfidenciale

GR 561

Fm Beograd 031151Z, prill ‘81

Direkt për FCO-Kopje origjinale

Nr. tel. 041, datë 03 prill ‘81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im, nr. 039

Demonstratat në Kosovë

  1. Demonstratat e 1 prillit ishin qartazi më serioze se ato të 11 dhe 26 marsit dhe, cilado qofshin shkaqet fillestare, ato kishin karakter të pastër politik.
  2. Kur takova Rotar këtë mëngjes, sekretar për Tregtinë dhe e pyeta për situatën aty, ai më tha se nuk duhet të lejojmë që çështja të ekzagjerohet. Numri i njerëzve të përfshirë është, tha ai, mbase më i vogël se 20% e popullsisë së përgjithshme. Nuk ishte e qartë nëse ai nënkuptonte popullsinë e Prishtinës apo të Kosovës në tërësi, por në secilin rast numrat janë shumë më të lartë sesa na bëjnë të besojmë deklaratat zyrtare të deritanishme. Sipas gazetarëve perëndimorë të bazuar në burimet lokale, numri i demonstruesve më 1 prill ishte i madh dhe përfshinte si studentët dhe punëtorët që marshonin pas fëmijëve të shkollave. Referenca në deklaratën e Nimanit mbi përdorimin e armëve e rrit seriozitetin e situatës.
  3. Autoritetet kanë vënë me të madhe theksin në përfshirjen e elementëve armiqësorë si brenda Kosovës dhe jashtë vendit. Rotar, tha se ishte e sigurt që kishte pasur provokime nga jashtë Jugosllavisë. Nuk ishte koincidencë që shqiptarët në Nju Jork kishin zhvilluar një demonstratë po atë ditë. Kolegu im nga Belgjika më tregoi se një sulm i fundit ndaj zyrave të jashtëm në Bruksel, besohej se ishte bërë prej punëtorëve shqiptarë nga Kosova të cilët kërkonin pavarësinë. Kreu i Departamentit për Lindjen e Mesme, SFPJ, i tha Këshilltarit tim se njerëz nga jashtë kishin dërguar ndihmë për elementët armiqësorë në Kosovë.
  4. Autoritetet nuk kanë bërë të qartë se çfarë masash janë duke marrë për të ripohuar kontrollin e tyre por është e qartë, dhe Rotar e konfirmoi këtë, se qeveria është e vendosur për të vepruar me vendosmëri për ruajtjen e rendit dhe stabilitetit dhe për të penguar çdo prishje të mëtejshme të jetës normale në Kosovë. Burimet zyrtare kanë thënë se masat për kufizimin e tubimeve publike janë ngritur në nivelin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe sapo është shpallur ndalimqarkullimi për periudhën nga 8 pm deri në 5 am, për disa bashki. Dëshmitarët kanë raportuar se Prishtina është rrethuar nga trupat, dhe policia speciale është nëpër rrugë. Gazetarët janë urdhëruar që të mos lejohen të hyjnë në Prishtinë.
  5. Rotar shtoi, se qeveria e dinte se ishte e nevojshme që problemi të zgjidhej në terma politike. Ai tërhoqi vëmendjen në normën e shpejtë të progresit të arritur në Kosovë dhe ishte i bindur se shumica e popullsisë e vlerësonte këtë dhe e pranonte pjesëmarrjen e plotë të Kosovës në çdo aspekt të procesit vendimmarrës në Jugosllavi. Ai parashikonte se situata do të qetësohej sepse populli do ta pranonte që zhvillimi i tij i plotë mund të arrihej vetëm brenda Jugosllavisë dhe nën sistemin e saj. Mesazhe mbështetjeje po vërshojnë në Kosovë dhe parashikoi se autoritetet do të bëjnë të pamundurën për normalizimin me shpejtësi të situatës.
  6. Atasheu im i mbrojtjes do të përpiqet që të bëjë një vizitë në këtë zonë fundjavën e ardhshme dhe kreu im i zyrës së Kancelarit ka planifikuar që të jetë me pushime në Kosovë javën e ardhshme.

Bolland – [Përsëritet sipas kërkesës]

Ky telegram nuk është përcjellë.

-3-

Konfidenciale

GR 500

Fm Beograd 061115Z, prill

Direkt për FCO-Kopje origjinale

Nr. tel. 043, datë 6 prill ‘81

Informacion me prioritet për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im, nr. 42

Kosova

  1. Kur takova Gërliçkov, aktualisht anëtar i Kryesisë së Lidhjes Komuniste, ai më dha informacionet e mëposhtme në përgjigje të pyetjeve të mia.
  2. Gërliçkov, tha se demonstratat lindën së pari nga kushtet sociale dhe ekonomike të cilat u shfaqën në një formë shumë më të mprehtë në Kosovë se tjetërkund. Megjithatë, situata kishte në vetvete një element të madh frymëzimi të jashtëm i cili ishte kryesisht irredentist. Demonstruesit kishin kërkuar Republikën e cila duhej të përfshinte pjesë të tjera fqinje të Jugosllavisë me pakicat shqiptare. Kjo ishte vetëm një fazë kalimtare. Faza tjetër, ndoshta mund të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
  3. Ata ende nuk e dinë me saktësi se kush i ka nxitur këto zhvillime nga jashtë vendit. Natyrisht që do ta zbulojnë këtë. Aktualisht nuk ka pasur fakte që të bëjnë fjalë për frymëzim nga ana e sovjetikëve. Gjuha e përdorur në fletushka në Prishtinë ishte në frymën e konform-byroistit. Ata e dinin se udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ishte në gjendje të dobët shëndetësore dhe se vuante nga vështirësi të brendshme dhe do të mirëpriste shumë një diversion të huaj.
  4. Autoritet mendonin se iniciativa kishte kaluar tashmë në anën e tyre dhe po përpiqeshin të izolonin forcat irredentiste dhe të kthenin shumicën e popullsisë kundër këtyre forcave. Autoritetet kishin pikërisht avantazhin se vetëm nacionalizmi në Shqipërinë staliniste ishte tërheqës për punëtorët, fshatarët ose inteligjencën e Kosovës. Sidoqoftë, nacionalizmi ishte i verbër dhe ata prisnin që të kishte më shumë trazira para se situata të ndryshonte plotësisht. Sidoqoftë, ngjarje të tilla do të ishin shumë të vogla dhe nuk do të kishin mundësi suksesi.
  5. Ata e kishin përdorur kaq shumë forcën, përfshirë ushtrinë dhe milicinë, me qëllim që t’i tregonin inspiruesve të huaj se çfarë ishte në gjendje të bënte Jugosllavia për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e saj. Brenda në Prishtinë ishin përdorur trupa me qëllim që të mbroheshin objektet më të rëndësishme. Të gjitha forcat e rendit kishin udhëzime të rrepta që të përdornin armë vetëm për vetëmbrojtje.
  6. Deri tani, tre anëtarë rezultonin të vrarë nga milicia, dhe shtatë të tillë nga demonstruesit. Dy nga këta të fundit nuk ishin vrarë nga forcat e rendit por, ata besonin, nga forcat armiqësore që donin gjakderdhje.
  7. Autoritetet do të publikonin të gjitha informacionet kur të ishte e vlefshme. Gërliçkov tha se mund të më siguronte që këto ngjarje nuk do të vijonin me shtrëngimin e kontrollit qendror dhe nuk do të lejoheshin që të pengonin procesin gradual të demokratizimit.

Bolland-Ky telegram nuk është përcjellë.

[Përcillet sipas kërkesës]

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar në Amerikë turneu Masters i Indian Wells, ku…