KRONOLOGJI E NJË MARSHI TË UÇK-së (11 maj-18 maj 1998)

14 maj 2023 | 22:39

Kujtime nga Muharrem Mahmutaj

Asnjëherë nuk kam shkruar për marshin tim të para 25 vjeteve, për t’u armatosur në Shqipëri, sepse krahasuar me sakrificën qe kanë bërë qindra luftëtarë të UÇK-së qe këtë rrugë të vdekjes e kanë bërë me dhjetra herë rrugëtimi im , sado qe ka qenë një nga marshet më të vështira të UÇK-së, më është dukur një marshim normal.

Do mundohem të jem sa me konkret dhe kronologjik dhe përmes këtij rrëfimi t’i shtoj një faqe te vogël librit mijëra faqesh të sakrificave mbinjërezore qe kanë bërë luftëtarët e UÇK-së për të sjellë armët e lirisë në Kosovë.

Nuk besoj te gjendet një shembull tjeter në botë qe një popull të ketë bartur me krahë dhe kuaj e mushka armët për lirinë. Vetëm rrëfimet e mijëra luftëtarëve qe kanë bërë këtë rrugë, shumë prej të ciëve kanë rënë dëshmorë, do të ishin prova të mjaftueshme të sakrificës se luftëtarëve të UÇK së, të cilët jo rrallëherë injorohen dhe përbuzen.

Në maj të vitit 1998 lufta në Dukagjin kishte marrë përmasa të mëdha dhe fshatrat , edhe me ndihmën e Shtabit të Gllogjanit, kishin filluar të armatoseshin. Kishte një mobilizim dhe entuziazëm të jashtëzakonshem. Fshati im Lybeniqi për shkak të specifikave të tij, meqense kishte serbë dhe malazezë , duhet të ishte me i kujdesshëm.

Njëri nga luftëtarët e shquar të UÇK-së Cenë Aliçkaj i njohur si komandant Cima, nga Lybeniqi, qe në ditët e para të luftës  ishte pjesë e rëndësishme e luftimeve në Gllogjan dhe Baballoq e pika tjera të luftimeve ashtu siç ishin në mbështetje të Shtabit të Gllogjanit në forma të ndryshme edhe disa djem të Lybeniqit ndër ta edhe vëllai im Ahmeti. Me sa mbaj mend Cena kishte kërkuar qe luftëtëtarëve qe shkonin për armatim në Shqipëri t’i bashkoheshin disa djem të Lybeniqit për të filluar qoftë edhe simbolikisht organizimin e fshatit.

Në atë fillim maji unë isha në Prishtinë dhe shkruaja në gazetën “Bota e Re” të drejtuar nga Muhamet Mavraj. “Bota e Re “ishte bashkuar me gazetën “Zëri i Kosovës “ qe botohej jashtë Kosove me kryeredaktor Bedri Islamin, kurse shef i zyrës në Tiranë ishte Akademik Shaban Sinanaj. “Bota e Re” dhe “Zëri i Kosovës“ dilnin më të njëjtën përmbajtje dhe ishin bërë zëdhënëse te vërteta të UÇK së. Atëkohë unë merresha me temat e luftës dhe shumicën e shkrimeve i botoja me pseudonimin Filonid  Ahmeti.

NISJA NGA LYBENIQI PËR SHQIPËRI DHE TAKIMI PAS SHUMË VITESH ME SI VËLLAIN TIM CEN ALIÇKAJ NË GLLOGJAN

Me 10 maj me trenin qe udhëtonte nga Prishtina në Pejë vendosa të kthehem në Lybeniq. Bashkë me shokun tim Elmi Ukëshinaj jemi lajmëruar vullnetarë për të shkuar në Shqipëri për armatim. Pas nesh kanë shkuar edhe grupe tjera të Lybeniqit për armatim, por kjo datë ishtë pikënisja.

Në mbrëmjen e 11 majit 1998 Elmiun dhe mua deri në Gllogjan na kanë shoqëruar axha i Elmisë: Ahmet Ukëshinaj, Amrush Ukëshinaj qe na ka vozitur me veturën e tij dhe vëllai im Ahmeti qe tashmë ishte pjesë e Shtabit të Gllogjanit.. Atë mbrëmje të 11 majit 1998 në Gllogjan qindra vullnetarë nga shumë fshatra ishin grumbulluar të niseshin për Shqipëri për armatim.

Deri sa bëheshim gati te niseshim , pas 10 vitesh takova komandant Cenë Aliçkajn, sivëllain tim më të cilin isha rritur. Ai sapo ishte ktthyer nga një ditë e rreptë luftimesh. Takimi ishte shumë emocionues por perveç një përqafimi nuk patem kohë as te çmalleshim. Cena na e dha Elmisë dhe mua një bombë me vete dhe na tha qe nëse biem në pritë ta paguajmë veten dhe të mos binim gjallë të forcat serbe.

U përqafuam edhe një herë dhe e lamë të çmalleshim pasi të ktheheshim nga Shqipëria. Nga Gllogjani deri në Hereq ku duhej të kalonim magjistralen Deçan -Gjakovë na ka përcjellur vet komandanti i Zonës se Dukagjinit Ramush Haradinaj.

QËNDRIMI NË SMOLICË DHE TAKIMI EMOCIONAL ME AGRON HARADINAJN

Pasi e kaluam pa problem magjistralen jemi nisur për në Smolicë, e cila ishte një bazë e rëndësishme e UÇK-së dhe një arterie e furnizimit të UÇK-së me armatim. Familjet e këtij fshati, familja e heroit Agron Rama dhe dhjetra familje tjera meritojnë respekt e mirënjohje të madhe për bujarinë më të cilën i kanë pritur e përcjellë mijëra luftëtarë nga e gjithë Kosova.

Atë natë dhe ditën e nesermën qindra vet kemi qëndruar në Smolicë dhe aty përjetuam mikëpritjen dhe zemrën e madhe të tyre.

2 ditë para se ne të niseshim për Shqipëri, me 9 maj 1998 , në një pritë ishte vrarë Ilir Konushevci-Mërgimi që ishtë shpirti i organizimit dhe logjistikës se UÇK-së. Vrasja e tij kishte kriju probleme të mëdha me furnizim dhe kishte rrezik qe qindra vetë qe ishim nisur për Shqipëri të ktheheshim deri sa të rregullohej çështja e furnizimit.

Për të ndihmuar tejkalimin e kësaj situate të re në Smolicë kishte ardhë edhe Agron Haradinaj i cili na e shpjegoj gjendjen e krijuar dhe me në fund u vendos qe nga grupi prej afro 500 vetesh për Shqipëri të niseshim vetëm 50 vetë. Kurse te tjerët të ktheheshin në fshatrat e tyre dhe të niseshin pas disa ditësh kur do të konsolodoheshin linjat e furnizimit.

Elmiu dhe unë patëm fatin të përzgjedheshim në grupin qe do të udhëtonte për Shqipëri. Në këtë takim unë pata fatin qe pas 27 vitesh të ritakoja Agron Haradinajn, i cili në vitin 1981 kishte qëndruar disa ditë në kullën e familjes time dhe kullën e Cen Aliçkajt në Lybeniq. Në atë pak kohë qe patëm mundem t’i ndajmë disa llafe dhe i kujtuam ato kohë.

Unë atëherë kisha qenë vetëm 9 vite dhe mbaj mend se Agroni me kishte mësuar shumë këngë patriotike ndër to edhe këngën e Fatime Sokolit  për demonstrat e vitit 1981”Moj Kosovë moj kështjellë burrnie “. Agroni me pyeti edhe për vëllain Ahmetin dhe bashkë rikujtuam kohën kur Ahmeti udhëhiqte orkestren e çiftelive të SHKA “Lulëkuqja“ të Lybeniqit e cila kishte lënë gjurmë në vitet 80-ta . Agronin kur isha  fëmijë e kisha frymëzim dhe u gëzova fort qe e ritakova edhe pse shumë shkurt.

NISJA NGA SMOLiCA NË SHQIPËRI DHE RËNIA E LUFTËTARËVE TË PONOSHECIT DHE POPOCIT

Grupi ynë i zvogëluar po bëhej gati të nisej për Shqipëri. Deri në kufi do të na përcillte komandant Zeqir Haxhija – Kanuni, nipi i familjes Rama të Smolicës, një komandant e organizator i shkëlqyer qe këtë rrugë e kishte kaluar me dhjetëra herë.

Pjesë e këtij marshi ishte edhe një prej luftëtarëve me të zot të Dukagjinit, heroi i Kosovës Fadil Nimani – Tigri qe ishte një lider i lindur. Kanë kaluar shumë vjet e kërkoj falje qe nuk i mbaj mend emrat e të gjithë atyre qe ishin pjesë e këtij marshi. Pjesë e këtij marshi ishte edhe Hysen Dreshaj – Besniku një luftëtar i hershëm dhe mik i Ilir Konushecit!

Adrian Krasniqit e shumë nismëtarëve të UÇK-së. Nga shokët e Besnikut e di se kanë qenë edhe Afrim Bajraktari – Beni, Adnan Spahija -Hansi e disa qe nuk i mbaj mend emrat. Me kujtohet qe nga Isniqi kanë qenë nipi im Bekë Osmanaj, Bashkim Balaj dhe ndonjë tjetër të cilët kanë udhëtu me  ne deri në Shqipëri por kanë pasur drejtimet e tyre dhe kur kemi mbërri në Prifq nuk kanë qëndru me ne dhe nuk janë kthyer me grupin tonë.

Por t’i kthehemi nisjes nga Smolica drejt Shqipërisë. Bashkë me grupin tonë disa minuta me herët u nisën edhe disa luftëtarë të Ponoshecit dhe Popocit, të cilë po niseshin për një sulm të planifikuar mbi një pozicion të armikut.

Nuk kishim ecur as disa qindra metra kur kemi dëgjuar një shpërthim të tmershem të një predhe të armikut qe kishte goditur grupin e luftëtarëve qe u nisen para nesh. Elmiu dhe disa të tjerë vrapuan menjëherë drejt vendit të shpërthimit kurse ne qe kishim kuaj për dore mbërritem pak me vonë. Pamjet qe pamë ishin të tmershme dhe nuk do më shlyhen kurrë nga mendja.

Ishte shumë e rëndë ti shihje të mbuluar me gjak njerëz me të cilët vetëm pak minuta me herët kishe biseduar e qeshur bashkë. Por kjo është lufta jetën dhe vdekjen mund ta ndajnë sekondat. Edhe miku im Elmiu ishte bërë me gjak gjithë trupit duke i ndihmuar të plagosurit dhe mendova se edhe ai ishte plagosur. Nje pjesë e grupit tonë u kthyen për ti ndihmuar luftëtarër e Smolicës qe erdhën për ti marrë të plagosurit dhe do të na bashkoheshin rrugës neve qe vazhduam rrugën.

Ky marsh filloj me një ngjarje të rëndë por përkundër kësaj ne vazhduam drejt kufirit ku na prisnin qindra rreziqe tjera. Rreziku i parë ishte kalimi i magjistrales Gjakovë- Ponoshec për të hyrë në Popoc e për të vazhduar drejt kufirit. Sapo kemi dalë në asfallt një mace e zezë na ka dalë në rrugë dhe të gjithë e kemi parë me ndrojtje se thonë maca e zezë sjell ters. Me kujtohet si sot qe macja e zezë i është afruar Hysen Dreshajt “Besnikut”.

Besniku e ka përkdhel macën dhe i ka thënë ec mori mace shko rrugës tende e mos na e prej rrugën. Për çudinë e të gjithëve macja e zezë vazhdoj rrugën në atë anë ku ishte dhe nuk na e preu rrugën. Kjo na lehtësoi të gjithëve. Të lodhur e tronditur nga ngjarja e rëndë vazhduam drejt kufirit. Gjatë rrugës na u bashku edhe pjesa tjetër e grupit qe ishte kthyer për të dërguar të plagosurit në Smolicë.

Pas disa orë udhëtimi në një terren të vështirë, falë udheqjes se rrugës nga komandant Kanuni dhe Komandant Tigri arritëm në kufirin e Kosovës me Shqipërinë qe për një shekull e kishte ndarë kombin tonë në dysh. Kanuni na uroj rrugë të mbarë dhe u kthy për në Smolicën ku duhej të përkujdesej për luftën dhe organizimin e grupeve tjera.

MBËRRITJA NË KULLËN E SYLEJMAN BERISHËS NË PRiFQ, PËRGATITJA E ARMATIMIT DHE NJË INCIDENT ME DISA BANDITË TË TROPOJËS

Nga kufiri deri në fshatin Prifq, të Kulla e Sylejman Berishës, qe ishte bazë e UÇK-së mbërrim pas mesnate vonë. I gjithë grupi ynë mbi 50 vet u vendosëm në një dhomë në katin përdhes të kullës. Të nesermen në mengjes pa bërë as 2-3 orë gjumë u zgjuam thuase kishim fjetur 10 orë sepse morali ishte ai qe na mbante.

Vrasja e Ilir Konushevcit kishte lënë vakuum të madh në furnizim dhe ndonëse nuk ishim grup i madh do të na duhej kohë të armatoseshim. Dua të theksoj se ndonëse me vonë Lybeniqi dhe fshatrat tjera me ndihmën e diasporës kishin krijuar fonde për blerjen e armëve, Elmija dhe unë armët i kemi marrë falas. Ditën e parë na janë ndarë nga dy kallashnikovë dhe disa karikatorë.

Gjatë ditës jemi marrë me pastrimin dhe përgatitjen e armëve qe do ti merrnim me vete. Perveç pastrimit edhe kemi gjuajtur me to për tu siguruar qe janë gati për përdorim. Gjatë ditës takuam edhe të zotin e shtëpisë plakun Sylejman Berisha qe kishte bërë shumë për UÇK-në.

Harrova te tregoj me herët se kur axha i Elmiut, Ahmet Ukëshinaj, na përcolli deri në Gllogjan na e dha një copë letër qe tia jepnim Sylejman Berishës. Meqë bashkëshortja e Ahmet Ukëshinajt e kishte djalë vëllai heroin Adrian Krasniqi, Ahmeti njihej mirë me Sylejman Berishën qe ishte i afërt me Adrianin dhe Familjen Krasniqi.

Ne ja pamë shumë hajrin asaj letre sepse baca Sylejman tregoj respekt të veçantë për ne. Ai atë natë dhe netët tjera qe do qendronim në kullën e tij në Prifq na vendosi në një dhomë tjetër e cila krahasuar me dhomën ku fjetëm natën e parë na dukej si hotel me 5 yje. Meqenëse ne veri ende operonin keqberës dhe banda gjatë natës duhet të ruanim armët me ndërrime. Një natë na ra ndërrimi të ruajmë armët mua dhe Elmisë.

Kah mesi i natës na u afruan disa banditë qe na kërcnuan të na marrin armët. Por ne nuk lëshuam pe dhe ju thamë se pa vdekur ne nuk mundet me i marrë kush armët e lirisë. Elmia ua drejtoj automatikun dhe u bë gati të shti drejt tyre. Kur e panë vendosmërinë tonë dhe nga frika se po zgjohen luftëtarët tjerë ata u larguan.

NISJA PËR KOSOVË, SHMANGIA E PRITËS NË KUFI DHE KTHIMI PRAPA NË KULLËN E  SYLEJMAN BERISHËS

Pas 2 ditë qëndrimi në Prifq filluam përgatitjet për tu nisur në Kosovë në të njëjtë rrugë nga kishim ardhur. Sejcili prej nesh kishte mbi 40 kg ngarkesë në shpinë qe në kushte normale do të dukej e pamundur për tu përballuar në një rrugë aq të gjatë dhe me aq shumë rreziqe.

Elmia dhe unë ishim ngarkuar me nga dy kallashnikovë disa karikatorë kurse në çantat ushtarake të shpinës kishim me shumë se 1500 fishekë kallashnikovi. Përveç kësaj peshe gati sejcili prej nesh kishim edhe nga një kali të ngarkuar me municione. Kuajt qe kishim unë e Elmia ishin të ngarkuar me predha të topave pa dridhje qe do t’i dorëzonim në Shtabin e Gllogjanit.

Grupit tonë qe kishim ardhë prej Kosove ju bashkuan edhe dhjetra luftëtarë tjerë qe kishin ardhur nga perendimi dhe rreshti ynë për në kthim u bë shumë me i gjatë. Pasi bëmë disa orë ecje të vështirë nëpër terr ju afruam disa qindra metra kufirit. Pararoja e marshit tonë qe ecte para nesh për të siguruar kufirin kishte hetuar disa lëvizje të dyshimta të forcave të armikut,  të cilët i kishin vendosur një pritë kolonës sonë. Falë pararojës sonë qe e hetuan pritën ne shpëtuam.

Forcat serbe shtinë nga largësia po nga grupi ynë nuk u vra dhe nuk u plagos askush. Nuk kishim rrugë tjetër pos të riktheheshim edhe një herë prej aty ku ishim nisur. Kthimi ishte shumë i lodhshëm dhe torturues. Në kullën e Sylejman Berishës mbërrimë diku pas mesnatës dhe pasi e shkarkuam barrën tonë dhe barrën e kuajve ashtu me rroba ramë për të marrë një sy gjumë . Ishim shumë të dëshpëruar qe nuk arritëm të futeshim atë natë në Kosovë.

TAKIMI i 15 MAJIT 1998 MES RUGOVËS DHE MILLOSHEVIQIT I PARË NGA PËRSPEKTIVA E ASAJ KOHE

Ditën e 15 majit 98 teksa drejtuesit e grupit tonë po bënin plane sesi të ktheheshim në Kosovë ne ishim rrethuar afër një radio të vogël dhe po dëgjonim lajmet për luftimet në Kosovë dhe reagimet ndërkombëtate. Toplajmi i asaj dite ishte takimi i delegacionit të Kosovës të kryesuar nga Ibrahim Rugova me Millosheviqin në Beograd si pjesë e një përpjekje ndërkombëtare për të ndalur luftimet dhe për të bërë një marrëveshje paqeje.

Ndoshta sot mund ta shoh pak me ndryshe atë takim dhe nuk e vleresoj aq ashpër sa kam mund ta vlerësojë 25 vite më parë. Por edhe sot edhe atëherë isha i bindur në një gjë: se lufta më nuk mund të ndalej dhe as paqja as lufta nuk mund të bëheshin pa UÇK-në. Marrëveshja e Rambujesë dhe ngjarjet qe erdhen pas ma çimentuan këtë bindje! Por më shumë sesa takimi Rugova- Millosheviq preokupimi ynë në ato rrethana ishte si të ktheheshim sa më shpejt në Kosovë për të sjellë armatimin.

NISJA PËR KOSOVË DHE MBËRRITJA NË FSHATIN MORINË

Pas shumë përgatitjeve  u vendos qe në Kosovë të niseshim natën e 17 majit. Do të ktheheshim kah pika e Morinës qe ishte pika me afërt me Kosovën por edhe me e rrezikshmja sepse duhej të kalonim shumë  aflr pikës kufitare  të ushtrisë serbe. Rifillluam nga e para ngarkimin e kuajve me armë dhe municion dhe pasi u ngarkuam edhe vet pas disa orë përgatitjesh u nisëm në drejtim të Kosovës të bindur se kësaj here do të futeshim me sukses.

Edhe pse ishte një udhëtim me rrezikshmëri të lartë ne ndjeheshim të sigurt sepse kishim udhëheqes marshute luftëtarë të sprovuar si Komandant Tigrin, Besnikun e shumë të tjerë. Me sa mbaj mend pjesë e udhëheqjes se këtij grupi gjatë kthimit në Kosovë ishte edhe një prej luftëtarëvr të shquar të Morinës Can Demiri komandant Korabi , i cili këtë rrugë e njihte në pëllëmbë të dorës sepse e kishte kaluar dhjetra.

Kolonës sonë ju kishin bashkuar edhe luftëtarë tjerë të dëshmuar të Dukagjinit si Shaban Mazrekaj, tashmë hero i Kosovës, Bashkim Lokaj e të tjerë qe nuk ua mbaj mend emrat. Bashkë me grupin tonë drejt Kosovës na ishte bashkuar  edhe ish i burgosuri politik e një prej drejtuesve të LPK-së Emrush Xhemajli i cili do të bëhej pjesë e Shtabit të Dukagjinit dhe do të njihej me nofkën kompjuteri. Elmia dhe unë përveç barrës qe kishim të ngarkuar përseri kishim edhe nga një kali të ngarkuar me predha të topit pa dridhje . Gjatë rrugës ndonjëherë duhej të ndaleshim për të rregulluar ngarkesën e kuajve.

Meqenëse unë Elmia para lufte kishim shkuar shpesh në bjeshkë të Lybeniqit më kuaj kishim përvojë në këtë punë dhe rregullimi i ngarkesës nuk paraqiste ndonjë problem. Poashtu duhet thënë se kuajt e Shqipërisë ishin shumë të stërvitur dhe të përshtatshëm për këto msrshime të gjata. Tek po i afroheshim kufirit filloj të bijë një shi i cili na e rëndoj edhe me tepër barrën qe kishim të ngarkuar. Sa më shumë i afroheshim kufirir adrenalina rritej dhe ne kishim veq një frikë – mos po detyroheshim të ktheheshim prapë në Shqipëri.

Për fatin tonë të mirë dhe falë udhëqesve të grupit të cilit ecnin qindra metra para nesh duke rrezikuar jetën e tyre për të mbrojtur jetën tonë, ne e kaluam kufirin pa telashe. Edhe pse ushtarët serbë i kishim shumë afër. Ndoshta një ndihmesë të vogël na dha edhe shiu qe nuk po ndalej. Të lumtur qe më në fund hymë në Kosovë rruga nga kufiri deri në fshatin Morinë na u duk shumë e shkurtër. Morina kishte një grup luftëtarësh shumë të zotë dhe përgatitur. Në mesin e tyre ishte edhe komandanti i shquar Sami Ukshini, komandant Korabi dhe disa luftëtarë të jashtëzakonshëm. Prej atyre djemve unë nihja Bekim Demirin, vëllain e komandant Korabit me të cilin njihesha në Prishtinë, përmes disa miqve të përbashkët dhe u gëzova shumë kur e takova.

Me të mbërrirë në Shtabin e tyre ata treguan kujdes të madh për ne, na kthyen darkë, na i teren rrobat dhe na organizuan traktorët në të cilët i vendosën të gjitha armët qe i kishim me vete edhe ato qe i kishim në kuaj. Bekim Demiri kuajt qe i kishim sjellë nga Shqipëria, pasi i shkarkuam, i mori dhe u nis menjëherë drejt Shqipërisë për ti dërguar të grupet tjera qe po prisnin për tu bërë gati për të hyrë në Kosovë. Respekt të pafund për luftëtarët dhe trimat e Morinës!

Pjesën tjetër të rrugës nga Morina deri në Gllogjan ku ishte destinacioni ynë do ta bënim me traktor përmes fshatrave të Rekës se Keqe, Junikut dhe Vokshit. Të lodhur siç ishim na kishte zënë gjumi në traktor. Kur kemi mbërritur në Junik komandant Tigri ka kërkuar qe të zbresin nga traktorët dhe të marrim kallashët sepse Juniku ende nuk ishte zonë e lirë e UÇK së dhe kishte rrezik të takoheshim në forcat serbe. Prej Junikut kemi kaluar në fshstrat e Vokshit dhe pasi kemi kaluar magjistralen  Deçan – Gjakovë diku rreth mesnatës kemi mbërritur në Gllogjan.

FUNDI I MARSHIMIT, MBËRRITJA NË GLLOGJAN DHE TAKIMI ME CENËN NË KULLËN E ISLAM MUSTAFËS

Me të mbërritur në Gllogjan bashkë me Elmiun dorëzuam predhat e topit pa dridhje dhe uruam qe të gjitha të godisnin në cak. Në odën e Islam Mustafajt, një ish burgosur politikë, burrë i matur dhe një shtyllë e fortë e UÇK-së në Gllogjan po na priste Cenë Aliçkaj të cilit i kishim premtuar se do të takoheshim pasi të ktheheshim nga Shqipëria.

Edhe bombën qe na e dha Cena kur u nisëm e kishim me vete. Përveç Cenës në odën e Islam Mustafaj po na priste edhe miku i familjes Binak Dinaj nga Raushiqi, ish i burgosur politikë dhe një nga nismëtarët e UÇK -së.

Me armët qe kishte sjellë Binaku në Kosovë në fillim të viteve 90-ta ishin furnizuar grupet e para të UÇK-së dhe ishin bërë aksionet e para mbi stacionet policore. Me vonë gjatë Betejës se Loxhës Binaku do të humbiste krahun. Me Cenën dhe Binakun në Odën e Islam Mustafës ishte edhe vëllai im Ahmeti. Kaluam një natë të paharrueshme me llaf e muhabet qe nuk mbaronte. Me Cenën biseduam për gjithçka  për kujtimet tona në rrafsh e në bjeshkë.

Me se paku folëm për luftën donim të flisnim më shumë për jetën e kujtimet e bukura të fëmijërisë. Dikur para se të zbardhte dita në dyshekët qe na i kishte shtruar i zoti i kullës ramë pak për të pushuar. Kur u zgjuam Cenën nuk arrita ta takoj se ishte nisur për në vijën e parë të frontit ndoshta pa bërë as një orë gjumë. Me mbeti shumë merak qe su përshendetem. Prej aty u nisëm sejcili në drejtimet tona.

Ky ishte një rrëfim për një marsh një javor të UÇK-së në të cilin pata nderin të njoh e takoj shumë heronj e luftëtarë të zotë. Shumë prej tyre sot nuk janë me ne. Komandant Tigri ka rënë heroikisht gjatë luftës në Maqedoni, Cena dhe Agroni ka disa muaj qe janë larguar nga kjo botë.

Ky rrëfim ishte një homazh për ta. Mijëra luftëtarë të UÇK-së kanë bërë qindra mijëra kilometra për të sjellë armë në Kosovë. Nëse sejcili prej tyre e shkruan rrëfimin e vet do të bëhej një kryevepër qindramijëra faqesh qe do pasqyronte një pjesë të kontributit kolosal qe kanë bërë vajzat dhe djemtë e UÇK-së për liri.
Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mori…