Kronologji ngjarjesh me rastin e 22 vjetorit të Betejës së Zhegocit
Shemsi Syla – ish epror i lartë i Zonës Operative të Karadakut
Beteja e Zhegocit shënon përfshirjen e tërë teritorit të Kosovës në flakën e luftës frontale të UÇK-së me forcat ushtarake serbe. Okupatori serb, para se të nisej në ofensivë kundër forcave të UÇK-së në Malësinë e Zhegocit, duke përdorur dhunë të shfrenuar, kishte ndërmarrë një fushatë të egër të masakrave dhe spastrimit në fshatrat e Anamoravës.
Më 2 prill 1999, forcat armike sulmuan fshatrat Lladovë, Llashticë, Zhegër, Shurdhan, Stançiq duke lënë dhjetra e qindra të vrarë e të plagosur nga popullata civile dhe kështu me një veprim strategjik, neutralizuan njërën nga kanalet e furnizimit, Grykën e Shurdhanëve që lidhej me malësinë e Karadakut të Kumanovës.
Nga shtëpitë e tyre, larguan edhe popullatën e Përlepnicës dhe fshatërat përrreth. Largoi popullatën e Malishevës, të disa pjesëve të qytetit të Gjilanit dhe fshatrave përrreth Malësisë së Zhegocit, Cernicë, Gumnishtë, Kravaricë, Kishnapolë, Sllakoc deri ne Gadish.
Me 10 prill u sulmua fshati Bresalc, si pikë strategjike, për ta spastruar terrenin para sulmit në Zhegoc. Me mjete të shumta ushtarake, tankse, praga, autoblinda e njësi speciale ushtarake e policore ushtroi dhunë, represalje, plagosje dhe vrasje. Në tërheqje plaçkiti e shkatërroi gjithçka. Atë që nuk e mori dot me vete ia dha flakën duke bërë shkrum e hi çfarë gjeti para vetes.
Në prag të shtëpive të tyre kishin lënë tre të vdekur e shumë të plagosur. Në atë mbrëmje njësiti i UÇK-së kishte nxjerrë dhjetra të plagosur nga zona e armikut dhe i kishte shtrirë në spitalin ushtarak në Zhegoc, ku të gjithë u operuan dhe më vonë u shëruan me sukses.
Natën, ndërmjet 14 dhe 15 prillit, Serbia sulmoi fshatrat Uglar, Pogragjë, Sllubicë, Llovcë, duke lënë shumë të vrarë e të plagosur, ndërsa Rahovicën dhe një pjesë të Preshevës i rrethoi edhe me autoblinda dhe tanksa dhe kështu pamundësoi edhe kanalin tjetër të furnizimit.
Pas gjithë këtij shfrenimi fashist të spastrimit të shqiptarëve përmes të tokës së djegur në Anamoravë, hordhitë serbe në mëngjesin e 15 prillit ia mësynë Malësisë së Zhegocit, atje ku UÇK-ja kishte zonat e lira të veprimit dhe ku po stërvitej e kalitej për përballjen e madhe.
Nga ky vend do të jehonin e gjëmonin pushkët e lirisë nga duart e rinisë heroike, me betimin ja vdekje ja liri. Aktet heroike të luftëtarëve në luftime, sakrificat e shumta deri në martirizim, si dhe dëmet e mëdha kundrejt armikut, luftën e Zhegocit e bëjnë njërën nga betejat më të rëndësishme dhe më të suksesshme të UÇK-së.
Beteja e Zhegocit (15 Prill 1999)
Beteja e Zhegocit ka rëndësi të veçantë për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqë shënon përfshirjen e tërë territorit të Kosovës në flakën e luftës frontale të UÇK-së me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Në këtë betejë armiku synonte rrethimin e befasishëm dhe asgjësimin e efektivit të UÇK-së, që ishte i vendosur në Malësinë e Zhegocit.
Shtabi i Zonës ishte i vendosur në Zhegoc të Poshtëm, ndërsa efektivi i Brigadës 171 “Kadri Zeka” ishte i shtrirë në tërë Malësinë e Zhegocit. Forcat serbe me qëllim të arritjes së synimeve të tyre qarkuan bazat e UÇK-ës në një rreth të gjerë, nga të katër anët. Forcat serbe gjatë tërë natës së datës 14 prill 1999, u pozicionuan në fshatrat – në veri: Kishnicë, Brus e Honroc, në lindje: Llabjan, Parallovë e Bresalc, në jug nga: Gadishi dhe Poneshi, kurse në perëndim nga: Sllovia dhe Akllapi.
Kështu mëngjesi i datës së 15 prillit, filloi me manovrimet psikologjike, duke bërë zbarkime të mijëra trupave ushtarako-policore dhe të teknikës së rëndë luftarake në vende të dukshme me qëllim të krijimit të panikut në popull dhe presionit psikologjik tek ushtarët e UÇK-së.
Njësitet vëzhguese kishin sjellur të gjitha informacionet për ndërmarrjet e armikut. Konform gjendjes së krijuar, ende pa zbardhur mirë dita, komandant Shaqa mbledhi Shtabin duke e njoftuar për situatën, dhe ndau detyrat luftarake… Nga ky moment Zona e Karadakut, hyri në luftë frontale me forcat serbe.
Luftimet filluan te Hanet e Zhegocit, ku njësitet pararojë të UÇK-së u ballafaquan me një luftë të rreptë me forcat armike. Në këtë ballafaqim, u vranë disa ushtarë dhe policë serbë dhe u shkatërrua një numër i mjeteve teknike të armikut. Në këto luftime ra dëshmori i parë në betejë, luftëtari trim dhe i patrembur i orëve të para të organizimit të UÇK-së në ZOK, Pajazit Ahmeti.
Pranë tij u plagos edhe Afrim Myrtaj, me nëntë plagë. Shokët që luftonin në një pikë të afërt, nën breshërinë e plumbave të armikut, arritën t’i afroheshin dhe ta tërheqnin me sukses… Në një pikë tjetër të frontit, pas një lufte heroike në panteonin e dëshmorëve u bashkua edhe Alban Ajeti, luftëtari simbol i rinisë heroike, kurse ushtari Fadil Qerimi u plagos dhe i ndihmuar nga shokët arriti të tërhiqet.
Lufta po prekte kulmin. Luftëtarët trima të vijës së parë ishin bërë digë e pakalueshme. Armiku shtonte sulmet. Kërkonte përforcime. Malësia ishte shndërruar në arenë të përgjakshme lufte. Në ato çaste historike, rënies dhe flijimit sublim në altarin e lirisë po i shtohej edhe Nushja e Tefiku, dy bashkëshortë dhe shokë ideali, veprimtarë të hershëm të rrugës së Xhevë e të Fehmi Lladrovcit. Bashkë me ta bien edhe dëshmorët Ramadan e Shaban Hyseni.
Beteja e Zhegocit njhet, pos heroizmit të treguar në luftë me armikun, edhe për aktet më humane në përkujdesjen dhe ndihmën ndaj të plagosurve, të hendikepuarve, pleqve, grave e fëmijëve. Jo me pak se tetë mijë banorë mbroheshin nga UÇK.
Forcat e UÇK-së, përveç përpjekjeve ballore me armikun, i cili numerikisht ishte shumë herë më i madh, kishin mbi vete edhe mbrojtjen, përkujdesjen e zhvendosjes dhe evakuimin e popullatës civile nga zonat ku luftohej. Në sajë të rezistencës së njësiteve të UÇK-së të vendosura te Hanet e Zhegocit, u arrit të përfitohet në kohë për të bërë zhvendosjen e popullatës në drejtim të Gadimes, fshat i cili ende nuk ishte i përfshirë në luftime.
Pas humbjeve që forcat serbe i pësouan në përleshje me UÇK-në, filluan represaliet dhe masakrat në popullatën civile, e cila ndodhej në fshatrat Sllovi, Vrellë, që ishin jashtë kontrollit të UÇK-së, por edhe në popullatën që nuk kishte arritur të zhvendosej. Ushtarët e Brigadës 171 “Kadri Zeka”, të cilët morën pjesë në Betejën e Zhegocit, përkundër terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike shumë të rënda, tërhoqën nga rrethimi të plagosurit bashkë me popullatën që e kishin nën mbrojtje, si dhe tërhoqën edhe Spitalin Ushtarak duke e zhvendosur në një vend të sigurtë.
Duke u gjendur në një rrethim të plotë dhe në mungesë të municionit si pasojë e bllokimit të të gjitha linjave furnizuese, komanda mori vendim për të çarë rrethimin dhe për të marshuar drejt Marecit, për t’i ardhur në ndihmë pjesës tjetër të efektivit të Zonës së Karadakut në Betejën e Marecit, e cila u zhvillua nga 18 prilli deri më 23 prill 1999. Kështu, luftëtarët të lodhur e të rraskapitur nga Beteja e Zhegocit, pa u çlodhur fare, përballen me një betejë tjetër edhe më të ashpër.
Në këto zhvillime dramatike të luftimeve nëpër istikame të luftës e të qëndresës, nëpër pika të vijës së luftës ranë edhe dhjetëra dëshmorë. Në lulen e rinisë e të bukurisë, po sa i kishte mbushur tetëmbëdhjetë pranëvera, Zylfie Gashi, u flijua për tri shkronjat e arta të UÇK-së. Ende pa i mbushur gjashtëmbëdhjetë vjet, së bashku me babanë dhe xhaxhanë, ra Kastriot Baftiu. Profesor Sahit Baftiu, edukues dhe pedagog i brezave, me rënien e tij u bë shembulli më i mirë i sakrificës për atdhe, me të vëllanë dhe të birin. Mësuesi Nijazi Osmani, në luftë të pakompromis në mbrojtje të jetës së banorëve ra për të mos vdekur kurrë… Shahin Baftiu, Ilmi Hyseni, Feim Ajeti, Fadil Ajeti, Bashkim Ramadani, Ismet Ajeti, Fatmir Ademi, Blerim Ademi, Ismet Sadiku, Sherif Sherifi, Bahri Sadiku, Ibrahim Beqiri, Bajram Gashi,Gafurr Hyseni, dhanë shembull të sakrificës, duke u bërë themel i fortë i lirisë. Ne Betejen e Zhegocit u vranë 25 luftëtarë dhe 22 nga popullata civile.