![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/02/kroos.jpg)
Kroos: Do të luaj sërish për Gjermaninë
Të shumta ishin aludimet, por më në fund tifozët e Kombëtares së Gjermanisë kanë diçka për t’u gëzuar. Pas një pushimi trevjeçar, lideri i mesfushës së “Pancerave”, Toni Kroos, është rikthyer te katër herë kampionët e botës, për një “vallëzim të fundit” në Kampionatin Evropian të Futbollit “Euro 2024”, i cili zhvillohet në Gjermani.
Vendimi për rikthimin në Kombëtare ka ardhur nga vetë veterani i mesfushës, së “Galaktikëve” të Real Madridit, me “arkitektin” 34-vjeçar, i cili me anë të një postimi, në profilin e tij zyrtar në “Instagram”, ka lumturuar jo pak besnikët e “Pancerave”, të cilët prej thuajse 10 vitesh tashmë po shohin rënien e lirë të Kombëtares.
“Djema, shkurt: nga marsi do të luaj sërish për Gjermaninë. Pse? Për shkak se më pyeti trajneri i Kombëtares dhe unë pranova. Jam i bindur se kjo skuadër në ‘Euro’ është e aftë për shumë më tepër nga sa mendojnë shumica e njerëzve!”, ka shkruar fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë në vitin 2014, i cili duket i bindur për ta bërë surprizën në këtë Evropian.