Kroos: Për pensionimin pjesa më e vështirë ishte t’i tregoja Ancelottit dhe djalit tim
Toni Kroos në një intervistë për mediumin spanjoll “MARCA”, e para e tij pas pensionimit nga futbolli aktiv, ka folur për sezonin e tij të fundit me fanellën e bardhë dhe vështirësitë që kishte për të komunikuar vendimin e tij për pensionim. Legjenda gjermane ndër të tjerash ka pranuar se pjesa më e vështirë ishte që ai këtë vendim t’ia bënte të ditur djalit të tij dhe trajnerit, Carlo Ancelotti.
“Ishte me të vërtetë më e vështirë për t’i treguar djalit tim të madh sepse e dija sa shumë e ka shijuar të më shihte në televizor dhe në stadium. Ai ka përjetuar kaq shumë momente, ka qenë në katër finale të Ligës së Kampionëve dhe si fëmijë, ai nuk do ta harrojë kurrë këtë”, ka thënë Kroos. “Dhe ishte shumë e vështirë që t’i tregoja Carlos pasi ai priste që unë të vazhdoja dhe ne ende kemi një raport shumë të mirë. Ai ishte trajneri im i parë këtu, kështu që nuk ishte e lehtë t’i tregoja, por në jetë gjithçka ka një fund. Nuk ishte e lehtë. E dija se Ancelotti nuk do të zemërohej, por do të ishte paksa i mërzitur. Nuk ishte një moment i lehtë as për mua sepse e dija se është fundi i diçkaje të veçantë”, ka shtuar Kroos.
“Unë u mundova të gjejë kohën e duhur, një moment të lehtë, dhe isha me fat që e fituam Ligën e Kampionëve dhe mendova ‘tani!’. Do të ishte më e vështirë nëse do të luftonim për kampionatin, pasi nuk doja që kjo temë të linte në hije çdo gjë tjetër”, ka përfunduar Kroos. Ai gjithashtu zbuloi se drejtuesit e klubit u munduan ta bindin që të vazhdojë ende, por që vendimi që kishte marrë ishte përfundimtar dhe i pakthyeshëm.