Kroos: Të mbylli karrierën me Ligën e Kampionëve dhe Evropian do të ishte madhështore
Pasi mbylli karrierën me trofeun e Ligës së Kampionëve, “arkitekti” i mesfushës së Real Madrid, Toni Kroos është gati të dirigjojë Kombëtaren e Gjermanisë, në Kampionatin Evropian të futbollit, ku padyshim në turneun që organizohet në shtëpinë e tyre kërkohet me ngulm triumfi i madh.
Trofeun e lakmon shumë edhe kampioni i Evropës për klube, me Kroos, që do të mbyllë përfundimisht “hesapet” me futbollin, pas Euro 2024 dhe shpreson të largohet me “faqen e bardhë”. Të paktën këtë ka lënë të nënkuptohej gjatë konferencës për shtyp, një ditë para sfidës hapëse të kompeticionit ndaj Skocisë, teksa theksoi se skuadra duhet të dijë të përballojë presionin.
“Një turne që luhet në shtëpi është edhe më special, nuk janë shumë lojtarë që ia dalin ta provojnë një ndjesi të tillë. I gjithë vendi e ndjen atmosferën dhe ka një energji shumë pozitive. Për këtë fakt kemi një përgjegjësi të shtuar, megjithatë skuadra do të duhet të dijë të menaxhojë edhe presionin. Në fund të fundit, është vetëm futboll. Pas Championsit edhe trofeu i Evropianit? Një ide e tillë më entuziazmon shumë, triumfi në Evropian ishte një shtysë që unë të rikthehesha në kombëtare. Dua shumë që të kemi sukses dhe ta fitojmë këtë Evropian, nëse mendoja se nuk mund t’ia dalim, atëherë nuk do të isha kthyer. Ta mbyllja karrierën me trofeun e Ligës së Kampionëve dhe me Evropianin do të ishte diçka “qesharake”, madhështore, por e pranoj me qejf të madh”, u shpreh legjenda gjermane e mesfushës.