Kroosi do të pensionohet pas ‘Euro 2024’
Mesfushori gjerman, Toni Kroos ka marrë vendimin e papritur duke u tërhequr nga futbolli i luajtur. Bëhet e ditur se ai ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist pas “Euro 2024”.
“17 korrik 2014, dita e prezantimit tim në Real Madrid, dita që më ndryshoi jetën. Jeta ime si futbollist, por mbi të gjitha si njeri. Ishte fillimi i një jete të re në klubin më të madh në botë. Sot, pas 10 vitesh, në fund të sezonit, kësaj jete i vjen fundi. Nuk do ta harroj kurrë këtë dekadë emocionuese dhe të suksesshme! Dëshiroj të falënderoj veçanërisht presidentin Florentino Perez, klubin dhe të gjithë ata që më pritën me zemër të hapur dhe më besuan. Por mbi të gjitha dua t’ju falënderoj, të dashur tifozë të Real Madridit, për dashurinë dhe mbështetjen tuaj nga dita e parë deri në të fundit. Në të njëjtën kohë, ky vendim do të thotë që karriera ime si futbollist aktiv do të përfundojë këtë verë pas Euros”, ka thënë Kroos.
“Siç e kam thënë gjithmonë, Real Madrid është dhe do të jetë klubi im i fundit. Sot jam i lumtur dhe krenar që gjeta në kokën dhe zemrën time momentin e duhur për këtë vendim. Ambicia ime ishte gjithmonë të përfundoja karrierën time në nivelin më të lartë. Nga ky moment, kam vetëm një mendim kryesor në mendjen time dhe asgjë nuk do të më ndajë nga kjo: Le të shkojmë për 15!!! Hala Madrid dhe asgjë më shumë!”, ka deklaruar Kroos.