Kroosi rikthehet në Kombëtaren e Gjermanisë
Ekipi kombëtar gjerman do të marrë një shtysë të madhe në prag të Kampionatit Evropian i cili do të mbahet në këtë vend vitin e ardhshëm.
Përkatësisht, portali “Kicker” bëri me dije se Toni Kroos (33) ka vendosur ta pranojë ftesën e trajnerit të Gjermanisë, Julian Nagelsmann dhe t’i japë fund pensionimit të tij nga kombëtarja. Lojtari i Real Madridit i dha lamtumirën kombëtares gjermane në verën e vitit 2021, pasi “Panzerët” u eliminuan nga Anglia në fazën e 1/8-tës në Kampionatin Evropian.
Tani ai është sërish gati për t’u vënë në dispozicion të kombëtares dhe do të tentojë t’i çojë gjermanët drejt titullit të kampionit të Evropës. Dyshohet se motivi kryesor i tij për t’u rikthyer është fakti se fëmijët e tij do ta shikojnë atë duke luajtur “Euro 2024” me fanellën e kombëtares në shtëpi, pra në fushën e tij. “Euro 2024” luhet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024 dhe Gjermania është vendosur në Grupin A me Skocinë, Hungarinë dhe Zvicrën. Kroos deri më tani ka luajtur 106 ndeshje me fanellën e Gjermanisë, në të cilat ka shënuar 17 gola.