KRU “Gjakova” apelon qytetarët të mos hedhin mbetjet inerte në rrjetin e kanalizimit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” apelon tek qytetarët për më shumë kujdes për rrjetin e kanalizimit.
Zëdhënësja e KRU “Gjakova”, Dafina Syla-Dina kërkoi që mos të hedhin mbetje inerte në rrjetin e kanalizimit pasi në këtë mënyrë po dëmtohet infrastruktura e kanalizimit.
Ajo tha se rastet e bllokimit të pusetave të rrjetit të kanalizimit në Gjakovë, Rahovec janë të shpeshta. Syla-Dina ka theksuar edhe se abuzimet me kanalizim po ndodhin si pasojë e vetëdijesimit të ulët të qytetarëve sa i përket rrjetit të kanalizimit.
“Abuzimet me kanalizim fatkeqësisht janë të shpeshta kjo si pasojë e vetëdijesimit të ulët të qytetarëve sa i përket rrjetit të kanalizimit. Rrjeti i kanalizimit nuk është funksional nëse vendosim mbetje inerte në sistemin e kanalizimit i cili nuk është i projektuar për t’i absorbuar të gjitha këto mjete inerte. Andaj apelojmë tek qytetarët të kenë kujdes në rrjetin e kanalizimit. Mbetjet e ndryshme nuk duhet të hidhen në kanalizim, duhet të hedhen në kontejner të bërllokut sepse si pasoj e kësaj jemi duke ardhur çdo ditë e më shumë në prishje të infrastrukturës së rrjetit të kanalizimit”, tha ajo.
Syla-Dina tregon se intervenimet për debllokim të kanalizimit nuk po bëhen vetëm në qytetin e Gjakovës por në gjithë zonën operative ku operojnë.
“Jemi në lagjen Brekoc ku KRU ‘Gjakova’ është duke intervenuar në debllokim të kanalizimit. Këto intervenime janë shumë të shpeshta jo vetëm në qytetin e Gjakovës, por më gjithë zonën operative ku ne operojmë si në Rahovec, Gjakovë si dhe një pjesë e Prizrenit”./kp/