KRU ‘Prishtina’ intensifikon shkyçjet e borxhlinjve nga ujësjellësi dhe kanalizimi
Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se, aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave ndaj shërbimeve të ujit dhe kanalizimit, është duke vazhduar me intensitet të lartë si në qendra të qyteteve, ashtu edhe në fshatra.
“Ky aksion ka filluar më 1 shkurt 2019, dhe si i tillë do të vazhdojë deri në dhjetor 2019. Ne kemi intensifikuar aktivitetet për arkëtimin e borxheve edhe përmes detyrimit /shkyçje të shërbimit, padi gjyqësore, përmbarues privat, etj., dhe natyrisht kjo shkakton shpenzime shtesë për buxhetin familjar”, ka njoftuar KRU “Prishtina”.
Sipas kësaj kompanie vërejtja me shkrim kushton 3.24 euro, shkyçja e rikyçja e ujit 20.00 euro, dhe shpenzimet e përmbaruesit privat 18 për në vlerën totale të borxhit të akumuluar.
KRU “Prishtina” ua ka bërë me dije konsumatorëve të vet se pagesa e faturave të ujit dhe kanalizimit është detyrim ligjor.
/Epoka e re/