KRU “Prishtina” ka borxhli që nga paslufta
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, po rrezikon investimet kapitale, kjo si pasojë e borxhit të madh të akumuluar nga konsumatorët të cilët nuk kanë paguar edhe 20 vite pas luftës, raporton Ekonomia Online.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Sokol Xhafa gjatë një interviste për Ekonomia Online, tha se kjo po i sfidon ata shumë ata, pasi me urdhëresë të autoritetit rregullator për mos shkyçje të konsumatorëve ka bërë që edhe të kenë pengesa në investime kapitale.
“Fati i keq është që ka konsumatorë të tillë që 20 vite pas luftës nuk ka paguar ujë asnjëherë dhe kjo është shqetësuese se si ndodh dhe shumicën e ankesave i pranojmë prej njerëzve të njëjtë, pra kur i marrim të dhënat më të zhurmshit janë këta që nuk paguajnë kurrë. Ne kemi zona urbane dhe rurale që kanë borxhe me qindra e mijëra euro, pra kemi konsumatorë individualë që ka me nga dy mijë e pesë mijë euro për furnizm me ujë”, tha Xhafa.
“Jemi duke dërguar shumë lëndë tek përmbaruesit privatë por nuk po mjafton as kjo, ne gjatë kësaj kohe nuk po i shkyçim sepse kemi një urdhëresë të autoritetit rregullator të mos i shkyçim, por po besoj që shumë shpejtë me menaxhmentin e ri që ka autoriteti rregullator do të mirëkuptojë për këta që nuk kanë paguar edhe para pandemisë do të gjejnë mënyra ligjërisht, sepse kjo situatë na parandalon në investime kapitale”, theksoi tutje ai.
Tutje, Xhafa thotë se në njërën anë kanë shumë kërkesa për furnizim me ujë, por në aën tjetër borxhet shtohen çdoherë e më shumë, duke bërë që kapacitet të jenë më të pakëta.
“Kjo po na sfidon shumë neve sepse në njërën anë kërkesat e mëdha për ujë, ne po obligohemi të gjitha kapacitet tona t’i amortizojmë deri në nivelin ekstrem për të arrit t’i furnizojmë sepse vazhdon të jetë pandemi dhe këtë duhet ta kuptojmë të gjithë e sidomos me këto rastet e fundit po e ndjen secili se ende nuk ka kaluar pandemia, e në njërën anë ne po luftojmë që secili të merr ujë, por fati i keq është që nuk po përgjigjen njëlloj konsumatorët tanë”, deklaroi ai.