KRU “Prishtina” kërkon nga “Ibër Lepenci” të kujdeset për ujërat e turbullta
Për shkak të reshjeve atmosferike ditëve të fundit, gjendja e ujit të papërpunuar në kanalin e “Ibër Lepencit” është përkeqësuar në tri ditët e fundit si pasojë e ngritjes së turbullirës, gjë që nuk lejon të trajtojë ujë të pijshëm në kushte optimale.
Kjo gjendje vazhdon të jetë në fabrikën e trajtimit të ujit në “Shkabaj” dhe në fabrikën për trajtimin e ujit të pijshëm në Drenas, që ujin primar e marrin nga kanali i “Iber Lepencit”.
“Ky kanal me gjatësi prej 50 km është i pambrojtur nga ujërat sipërfaqësore gjatë reshjeve, duke ndikuar që turbullirat në këtë kanal të jenë në vlera të larta dhe që na pamundëson trajtimin e ujit të pijshëm në periudhat kur kemi reshje me intensitet të lartë, për shkak se shfaqen probleme teknologjike dhe papastërti”, është thënë në njoftimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
KRU “Prishtina” sh.a. kërkon nga NH “Ibër Lepenci ” sh.a. dhe institucionet komunale që në territoret ku është i ndërtuar kanali të punojnë në mbrojtjen e tij nga ujërat sipërfaqësore, që në të ardhmen të mos ballafaqohemi me ndërprerje të prodhimit të ujit në të dy fabrikat e lartcekura.
“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot ka arritur kuotën maksimale dhe ka filluar të kapërderdhet, derisa niveli i ujit në liqenin e Badocit ditëve të fundit është rritë rreth 40 cm, por që ende vazhdon të jetë (-3.50 m) nën kuotën maksimale”, është thënë në njoftimin e KRU Prishtina.
KRU “Prishtina” sh.a. është duke bërë përpjekje maksimale që këtë situatë ta tejkalojë më pak mungesë të ujit të pijshëm te konsumatorët.
KRU “Prishtina” ka bërë me dije se furnizimi me ujë të pijshëm në të gjitha zonat e shërbimit po qëndron stabil, por në ditët vijuese zona të pjesshme do të ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm deri të arrihet në stabilizimin e situatës me turbiditet të lartë.