KRU “Prishtina” kërkon nga operatorët ekonomik të mos ndërhyjnë në rrjetin e ujësjellësit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” i ka quajtur të papranueshme ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit nga personat e paautorizuar.
Ata përmes një komunikate për media thonë se ndërhyrjet e paautorizuara në rrjet, mund ta çrregullojnë sistemin dhe shpërndarjen e barabartë të ujit të pijshëm te konsumatorët.
“Ndërhyrjet e paautorizuara në sistemin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, manipulimi me valvola të sistemit të rrjetit nga persona të papërgjegjshëm, intervenimet në zonat urbane e rurale në rrjetin e ujësjellësit qoftë nga kompani private, ndërtues objektesh apo persona fizik pa e njoftuar ujësjellësin, janë të papranueshme, ngase secila prej tyre mund të çrregullojë sistemin dhe shpërndarjen e barabartë të ujit të pijshëm te konsumatorët”, thuhet në njoftim.
Ata kanë kërkuar nga operatorët teknik, që nëse gjatë kësaj periudhe i kanë të domosdoshme intervenimet në rrjet, ta lajmërojnë paraprakisht kompaninë.
“Kërkojmë nga Operatorët ekonomik, si KEK-u, KEDS-i, PTK, NP Termokos, që nëse gjatë kësaj periudhe e kanë të domosdoshme intervenimet në rrjetin e tyre, kërkojmë që të njoftojnë paraprakisht KRU ‘Prishtina’, ngase po hasim në probleme, e sidomos kur bëhet fjalë për intervenimet që si shkak mund të ndodhë ndërprerja e energjisë elektrike e që mund të çrregullojë në masë sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm, rast konkret në lagjen Mati 1 në Prishtinë. Bashkërendimi i aktiviteteve, në këtë kohë pandemie, sjellë rezultate të mira në ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë”, thuhet në njoftim.