KRU ‘Prishtina’ kërkon nga qytetarët ta përdorin sa më racionalisht ujin e pijshëm
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ u ka bërë thirrje qytetarët që të shpenzojnë sa më pak ujin e pijshëm.
Kjo kompani ka njoftuar se të shpenzuarit racional të ujit të pijshëm është e vetmja mënyrë e krijimit të kushteve elementare për të ardhmen e fëmijëve tanë.
“Uji duhet shpenzuar racionalisht, jo vetëm gjatë ditëve të nxehta në hapësirë, por ai duhet kursyer edhe gjatë stinëve të ftohta, duke kontrolluar shpenzimin e ujit në objekte të mbyllura, në shtëpi, banesa, institucione apo biznese. Ne e hapim çdo ditë, rubinetin në banimet tona për të pirë ujë, për të zier gjëra ushqimore, për të larë duart e pastruar fytyrën, për nevoja higjienike. E dimë, se s’ka gjë më të lehtë e më të shpejtë sesa hapja dhe mbyllja e një rubineti në shtëpitë tona. Por a e dini se, rruga e trajtimit të ujit të pijshëm është e gjatë, e mundimshme dhe ka një kosto të lartë derisa të vije në krojet tona të banimit. Energji elektrike, pompa, pajisje, kimikate, gypa primar sekondar e terciar, derivate, fuqi punëtore, dije dhe investime, pra është një proces i gjatë që kushton”, është thënë në njoftimin e KRU ‘Prishtinës’.
Sipas kësaj kompanie, menaxhimi i sistemit të ujësjellësit të Prishtinës për të pasur ujë të mjaftueshëm dhe të pastër, kushton. “A e dini se 1 000 litra ujë i trajtuar kushton vetëm 0.43 euro, derisa nëse ne e blejmë në dyqane një shishe të ambalazhuar prej 1.5 litra kushton po aq sa 1 000 litra ujë të ujësjellësit, që ne e sjellim në krojet tuaja, por edhe i monitoruar vazhdimisht me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike nga laboratori i akredituar i kompanisë tonë dhe njëkohësisht i monitoruar edhe nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës”, është theksuar në njoftimin e KRU ‘Prishtina’.
/Epoka e re/