Ujësjellësi zgjat orarin e punës për shkak të mërgimtarëve
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar qytetarët se duke filluar nga 8 korriku deri më 31 gusht, ka zgjatur orarin e punës në pikat e shitjes edhe për dy orë të tjera, (zyra për konsumatorë në drejtorinë e ujësjellësit, pika e shitjes në lagjen “Ulpiana” dhe pika e shitjes te Komuna e vjetër e Prishtinës).
Sipas KRU “Prishtina”, arsyeja e zgjatjes së orarit janë ardhja e mërgimtarëve në Kosovë.
“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që një gjë të tillë ta bëjmë edhe nëpër njësitë e tjera operative. Kështu, orari i punës në këtë departament do të jetë nga ora 08:00-18:00 (gjithsej 10 orë), derisa ditën e shtunë do të punohet nga ora 09:00-16:00 (gjithsej 7 orë). Pra, arsyeja e zgjatjes së orarit janë bashkatdhetarët tanë, pa i përjashtuar asnjë moment edhe konsumatorët e tjerë të KRU ‘Prishtina’ sh.a. Kjo, për arsye që atyre t’iu krijojmë lehtësira në kryerjen e obligimeve që kanë ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, gjatë qëndrimit në atdheun e tyre”, është thënë në njoftimin e KRU “Prishtina”.
/Epoka e re/