KRU Prishtina paralajmëron shkyçje të borxhlinjve nga 2 shtatori
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. nëpërmjet një komunikate për medie ka njoftuar konsumatorët në zonën e shërbimit në Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Drenas, Podujevë, Shtime dhe Graçanicë se aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave ndaj shërbimeve të ujit dhe kanalizimit do të fillojë me intensitet të lartë nga 2 shtatori.
“Shkyçjet individuale për konsumatorët borxhlinj po fillojnë nga muaji shtator. Paralajmërojmë konsumatorët borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit se kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat dhe borxhin e akumuluar.
KRU ‘Prishtina’ sh.a. ka intensifikuar aktivitetet për arkëtimin e borxheve edhe përmes detyrimit (shkyçje individuale të shërbimit, padi gjyqësore, përmbarues privat etj) dhe natyrisht kjo shkakton shpenzime shtesë për buxhetin tuaj familjarë: (shkyçja dhe rikyçja e ujit 20 euro, shpenzimet e përmbaruesit privat 18 për qind në vlerën totale të borxhit të akumuluar) ”, është thënë në këtë komunikatë.
KRU “Prishtina” ka bërë me dije se me shkyçje do të përballet secili konsumator që ka dy fatura e më shumë të papaguara ndaj shërbimeve të ujit si dhe të gjithë ata konsumatorë që kanë hy në marrëveshje në mes të kreditorit- debitorit dhe nuk u janë përmbajtur marrëveshjes kontraktuale.
Borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim është mbi 40 milionë euro.
KRU “Prishtina” tregon se u ka ofruar bashkëpunim dhe mundësi të lehta të ndryshme për pagesa të shërbimeve si riprogramim për borxhe të akumuluara.
“Paraprakisht falënderojmë të gjithë konsumatorët që paguajnë rregullisht faturat e ujit, njëkohësisht ftojmë borxhlinjtë që urgjentisht të paguajnë detyrimet që kanë ndaj KRU ‘Prishtina’”, është theksuar në komunikatën për medie.
/Epoka e re/