KRU ‘Prishtina’ përfiton grant me vlerë afër 62 milionë euro
Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka nënshkruar të mërkurën grantin për konsulencë për implementimin – Komponenta e rrjetit të ujërave të zeza dhe ujërave të reshjeve atmosferike.
Afër 62 milionë euro do të jetë vlera totale e këtij granti, ku 42.3 milionë euro do të jenë grant nga qeveria gjermane, ndërsa 20 milionë euro do të jenë mjete të Bashkimit Evropian që implementohet në kuadër të IPA 2022, raporton “EO”.
Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, ka thënë se periudha për implementimin e këtij projekti është pesëvjeçare, ndërsa pritet të bëhet zgjidhje për katër komuna: Prishtinë, Fushë-Kosovën, Graqanicën dhe Obiliqin.
“Në cilësinë e kryeshefit e bëmë ceremoninë e nënshkrimit të kontratës për shërbime të implementimit projektit për shërbime konsulente lidhur me projektin e trajtimit të ujërave të zeza. Periudha e implementimit të projektit do të jetë pesëvjeçar kurse në këtë projekt pritet të bëhet zgjidhja për katër komuna Prishtinë, Fushë-Kosovën, Graqanicën dhe Obiliqin. Është hapi i parë që fillon implementimi, pra me anë të shërbimeve konsulence dhe besoj që bashkë me konsulencën gjermane, Qeverinë e Kosovës bordin e drejtorëve po edhe të KW që ta realizojmë suksesshëm këtë projekt”, ka thënë Fetahu.
Ndërsa zëvendësministri i Ekonomisë, Getuar Mjeku, ka thënë se vlera prej 200 milionë euro është për pjesën e rrjetit të kanalizimit të kolektorit dhe impiantit për trajtim të ujërave të ndotura.
“Po flasim për një grup projektesh që do t’i realizojë KRU ‘Prishtina’ si më e rëndësishmja prej kompanive në Kosovë si më e madhja dhe do të arrijë vlerën 200 milionë eurove për pjesën e rrjetit të kanalizimit-kolektorit dhe impiantit për trajtim të ujërave të ndotura dhe mund të jemi kryeqyteti i fundit që realizojmë një impiant dhe ta bëjmë mënyrën më të mirë të mundshme sepse synimi është me u shërbyer qytetarëve edhe me mbrojtur mjedisin ku jetojmë pra është një projekt shumë i rëndësishëm”, ka thënë Mjeku.