KRU “Prishtina” me performancën më të mirë për vitin 2017
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) me rastin e prezantimit të performancës së kompanive rajonale të ujësjellësve dhe kanalizimeve të Republikës së Kosovës, ka ndarë mirënjohje për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. për performancën më të mirë për vitin 2017.
Sipas një njoftimi të KRU “Prishtina”, ofrimi i shërbimeve kualitative dhe rritja e qëndrueshmërisë financiare është synimi aktual dhe i së ardhmes i kësaj kompanie.
“Misioni i KRU ‘Prishtina’ sh.a. është, furnizimi me ujë të pijshëm në pajtim me standardet e OBSH-së, maksimalizimi i kohës së furnizimit, largimi i ujërave të ndotura, mirëmbajtja dhe zgjerimi i rrjetit të ujit të pijshëm, mirëmbajtja dhe zgjerimi i rrjetit të ujërave të ndotura”, është bërë me dije në njoftimin për medie.
KRU “Prishtina” ka njoftuar se orientimi i të gjitha aktiviteteve të punës do të kenë çdoherë fokus konsumatorin me të gjitha përfitimet dhe rreziqet.
“Të gjithë konsumatorët do të kenë trajtim human dhe qasje në shërbim: pa diskriminim racor, pa diskriminim në përkatësinë religjioze, pa diskriminim në përkatësinë kombëtare, pa diskriminim në përkatësinë gjinore etj”, është theksuar në njoftimin për medie të KRU “Prishtina”.
/Epoka e re/