KRU “Prishtina” shënon progres të theksuar sipas raportit të Auditorit
KRU “Prishtina” Sh.A ka shënuar progres të theksuar sipas Raportit të Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2022. Kështu është bërë e dituar nga KRU “Prishtina”, në një njoftim për medie.
“Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar me Opinion të Kualifikuar sipas auditimit të kryer për Pasqyrat Financiare për vitin 2022, pas shumë viteve me radhë gjatë të cilave ishte vlerësuar me Opinion të Kundërt.
Për vite me radhë, KRU “Prishtinës” i është dhënë Opinion i Kundërt për Pasqyrat Financiare, i cili ishte rezultat i mangësive serioze të gjetura gjatë auditimeve. Megjithatë pas një angazhimi të vazhdueshëm gjatë periudhës së fundit, është arritur të shënohet progres i theksuar në rregullsinë dhe saktësinë e informatave financiare, në bazë të të cilave edhe është kaluar në Opinion të Kualifikuar.
Opinioni i Kualifikuar i dhënë vjen kryesisht për çështjet të cilat janë trashëguar nga vitet e kaluara.
Gjatë vitit 2022 nga 19 rekomandimet e dhëna në vitin 2021, prej tyre është arritur që të zbatohen 11 në plotni.
Gjithsesi, KRU “ Prishtina” Sh.A është duke punuar në vazhdimësi për ngritjen e kualitetit të kontrolleve të brendshme dhe në adresimin e pjesës së mbetur të gjetjeve të cilat burojnë nga vitet e mëhershme të cilat po trajtohen me kujdes të shtuar konform SNK/SNRF”, thuhet ndër tjera në njoftimin e KRU “Prishtina”.