KRU “Prishtina” shkyç nga rrjeti i ujësjellësit 100 konsumatorë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka njoftuar të gjithë konsumatorët se nga 25 janari 2018, ka filluar me masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Sipas KRU “Prishtina”, si masë e parë ndëshkuese, është shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, pasuar nga ndëshkime të tjera.
“Me shkyçje po përballet secili konsumator që ka dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit. Brenda një muaji janë realizuar mbi 100 shkyçje nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, janë vizituar mbi 1 300 konsumatorë borxhlinj dhe janë dërguar te përmbaruesit privat rreth 400 lëndë të konsumatorëve që nuk janë të rregullt ndaj shërbimeve të ujësjellësit. Për këtë aksion, KRU ‘Prishtina’ sh.a. ka angazhuar 50 ekipe të shkyçjes”, është thënë në njoftimin e KRU “Prishtina”.
Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU “Prishtina”: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth.
Aksioni i shkyçjes do të vazhdojë deri në fund të këtij viti.