KRU “Prishtina”, thirrje urgjente qeverisë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, pas vendimit të qeverisë për ndalimin e lëvizjes së lirë dhe qarkullimit, si kompani e ofrimit të shërbimeve për ujë dhe kanalizim, iu ka bërë thirrje institucioneve për ndihmë në këtë drejtim ngaqë rrezikohet operimi në terren.
Sipas ujësjellësit të kryeqytetit, operimi rrezikohet në tetë komunat e zonës së shërbimit ku, sipas KRU “Prishtina”, dihet se qytetarët tashmë kanë nevojë më së shumti për ujë.
“Rrezik përbën pëlcitja e tubacioneve primare dhe sekondare dhe, po ashtu, pusetat e kanalizimit që kohën e fundit kanë qenë të shumta. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe dikasteret përkatëse të na dalin në ndihmë me urgjencë për pajisjen me leje speciale karshi operimit të ndërmarrjes sepse na pamundësohet furnizimi me ujë të pijshëm”, thuhet në një njoftim për media të kësaj kompanie.